Shembje akullnajë Himalaje: Përmbytje, viktima, kërkim-shpëtim

Pamje tronditëse nga Himalajet: Momenti i shembjes së akullnajës që shkaktoi përmbytjet, vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit

Pamje dramatike nga Himalajet dokumentojnë pasojat e shembjes së një akullnaje, një fenomen që dyshohet se ka shkaktuar përmbytjet masive në zonat e Nepalit dhe Tibetit.

Në videot e publikuara shihet qartë peizazhi pas ngjarjes, ku një shpat i tërë akullnajor është zhveshur dhe zëvendësuar nga masa dheu e mbetjesh. Ky territor, sipas imazheve satelitore të mëparshme, rezultonte të ishte i mbuluar nga akulli.

Katastrofa ka sjellë një bilanc të rëndë njerëzor. Të dhënat e raportuara nga autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare tregojnë se qindra persona kanë humbur jetën, ndërsa 1,924 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes personave të zhdukur raportohet se ka edhe turistë dhe pelegrinë të huaj.

Në zonat e prekura vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për të mbijetuarit. Mijëra forca sigurie janë angazhuar, duke përdorur edhe dronë për të monitoruar territoret ku ndërhyrja tokësore është tepër e rrezikshme.

Në një nga zonat më të goditura, fshatra të tëra janë përmbytur dhe shkatërruar brenda pak minutash. Pas tërheqjes së ujërave, terreni është mbuluar nga një shtresë e trashë balte dhe mbetjesh, duke lënë shumë banorë pa shtëpi.

Qindra të mbijetuar janë strehuar në qendra të përkohshme, të ngritura nga autoritetet dhe ushtria. Këto qendra po furnizohen me ushqime, pajisje mjekësore dhe ndihma humanitare.

Situata mbetet veçanërisht e vështirë për fëmijët. UNICEF ka bërë të ditur se rreth 17 mijë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, ndërsa disa shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar nga katastrofa.

Operacionet e shpëtimit vijojnë mes kushteve të vështira, me ekipet që përballen me terren të rrezikshëm dhe rrezikun e përmbytjeve të tjera. Të plagosurit, duke përfshirë banorë vendas, turistë dhe punëtorë të huaj, po transportohen me helikopterë drejt spitaleve.

Ndërkohë, qendrat e strehimit janë kthyer edhe në vende zie, ku trupat e viktimave të nxjerra nga zonat e prekura po ruhen deri në përfundimin e procesit të identifikimit dhe njoftimin e familjarëve.

Scroll to Top