Ngushtica e Hormuzit mbyllet sërish, tensionet mes Iranit dhe SHBA-së rriten
Ngushtica strategjike e Hormuzit është mbyllur sërish për qarkullimin detar, duke sjellë një rritje të ndjeshme të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe shqetësimeve lidhur me tregtinë globale të naftës.
Autoritetet iraniane kanë njoftuar se kjo rrugë kyçe e transportit detar do të qëndrojë e bllokuar derisa Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet ndaj porteve iraniane. Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi ngushtica ishte rihapur përkohësisht.
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Ghalibaf, ka deklaruar se, pavarësisht progresit në negociatat me SHBA-në, palët mbeten ende larg një marrëveshjeje përfundimtare. Bisedimet e fundit mes përfaqësuesve të Iranit dhe zyrtarëve amerikanë janë zhvilluar në Pakistan, ndërsa ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se dialogu me Teheranin po vazhdon në mënyrë pozitive, por ka paralajmëruar se SHBA-ja nuk do të lejojë presione apo “shantazh” lidhur me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Mbyllja e kësaj rruge të rëndësishme detare pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik global.
