Njoftim pune viral në Kinë: 700+ aplikime për kujdestar dele

Mbi 700 aplikime dhe 59 milionë shikime! Njoftimi për punë në Kinë bëhet viral, ja çfarë ofrohej

Tregu i punës në Kinë mesa duket nuk është aq premtues nga sa mund të mendohet. Pronari i një ferme, Chu Xiaoyong, u shpreh i habitur kur njoftimi i tij për punë, ku kërkohej bari për delet, u bë viral, duke grumbulluar rreth 59 milionë shikime në platformën Weibo.

Sipas tij, aplikimet nuk erdhën vetëm nga punëtorë ruralë, por edhe nga punonjës zyrash në qytete të mëdha si Shangai dhe Chongqing, punëtorë fabrikash, si dhe të diplomuar në universitete.

Disa nga aplikantët kanë deklaruar se kërkojnë largim nga stresi i jetës urbane dhe nga kultura e punës intensive, e njohur si “996” (nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes, 6 ditë në javë).

  • Një nga aplikueset, një 28-vjeçare punonjëse në tregtinë elektronike, tha se e tërheq ideja e një jete më të qetë dhe të izoluar, larg presionit të qytetit.
  • Një tjetër kandidat, 21-vjeçar dhe ish-punonjës fabrike, theksoi se dëshiron të largohet nga kushtet e vështira të punës dhe orët e gjata.

Pozicioni ofron rreth 1.000 euro në muaj, së bashku me akomodim dhe ushqim, një shumë që është mbi mesataren e pagave në sektorin privat urban në Kinë. Detyra përfshin kujdesin për mijëra dele në një kullotë prej 20.000 akrash, si dhe punë të vështira fizike gjatë dimrit, kur temperaturat mund të bien nën -30°C.

Në fund, pronari punësoi katër barinj (dy çifte), të gjithë me përvojë të mëparshme në ferma dhe të lindur në vitet 1980. Ai shtoi se ende ka shumë kandidatë të tjerë, por nuk planifikon të punësojë të rinj nga qytetet e mëdha apo persona beqarë, duke argumentuar se izolimi i zonës është shumë i vështirë për t’u përballuar.

“Ne jemi në një vend ku mund të mos shohësh askënd për një vit të tërë. Nuk e di nëse të gjithë mund ta përballojnë këtë vetmi,” u shpreh ai.

Scroll to Top