VIDEO/ Nxënësit veprojnë me shpejtësi dhe shmangin tragjedinë, ndalojnë autobusin e shkollës pasi shoferes i bie të fikët në timon
Një ngjarje që mund të kishte pasur pasoja tragjike u kthye në një histori frymëzuese falë reagimit të menjëhershëm të disa nxënësve në Misisipi. Incidenti ka ndodhur të mërkurën, më 22 prill, brenda një autobusi shkollor që transportonte rreth 40 nxënës.
Sipas pamjeve të publikuara nga Distrikti Shkollor Hancock, shoferja e autobusit, Leah Taylor, humbi ndjenjat si pasojë e një ataku astme, ndërsa autobusi vazhdonte lëvizjen.
Situata u bë kritike për pak çaste, por ndërhyrja e nxënësve shmangu një aksident të mundshëm. Një nxënëse e ulur në pjesën e përparme vuri re se shoferja ishte përkulur dhe reagoi menjëherë duke kapur timonin. Ndërkohë, nxënës të tjerë u afruan për të ndihmuar, ndërsa shoferja humbi sërish ndjenjat.
Një prej nxënësve arriti të frenonte automjetin, duke e ndaluar në mënyrë të sigurt. Paralelisht, një tjetër nxënëse i dha shoferes ilaçin që ajo mbante me vete, ndërsa të tjerët kërkonin ndihmë me zë të lartë.
Pas incidentit, drejtoresha e shkollës së mesme Hancock, Melissa Saucier, vlerësoi reagimin e nxënësve, duke theksuar se ata treguan qetësi dhe vendosmëri në një moment kritik. “Jemi jashtëzakonisht krenarë për fëmijët tanë. Kjo situatë mund të kishte qenë shkatërruese, por ata vepruan në mënyrën e duhur”, u shpreh ajo për mediat lokale.
Pesë nxënësit – McKenzy Finch, Jackson Casnave, Darrius Clark, Kayleigh Clark dhe Destiny Cornelius – u nderuan për veprimin e tyre heroik në një aktivitet të organizuar nga shkolla.
Ndërkohë, shoferja e autobusit është në gjendje më të mirë shëndetësore dhe ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj nxënësve, duke theksuar se ata “i shpëtuan jetën”.
