Trump planifikon bllokadë të zgjatur ndaj Iranit

“Wall Street Journal”: Trump po përgatitet për një bllokadë të zgjatur ndaj Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka dhënë udhëzime ndihmësve të tij që të përgatiten për një bllokadë të zgjatur ndaj Iranit, sipas gazetës amerikane The Wall Street Journal.

Zyrtarë amerikanë të cituar nga gazeta bënë të ditur se Trump, në takimet e fundit, u shfaq i vendosur të vazhdonte presionin mbi ekonominë iraniane dhe eksportet e naftës, duke bllokuar transportin detar për në dhe nga portet e vendit.

“Irani po shembet”

Sipas këtij qëndrimi, Shtetet e Bashkuara mund të hyjnë në një periudhë të zgjatur armiqësish, kryesisht të ngrira, por pa një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin. Ndërkohë, pasiguria mbi statusin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit vazhdon.

SHBA-të po bllokojnë anijet që shkojnë në ose nga portet iraniane, duke u përpjekur ta privojnë vendin nga të ardhurat nga nafta, ndërsa Irani po bllokon gjithashtu kalimin nëpër ngushticë.

Më herët të martën, Trump tha se Irani i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të heqin bllokadën detare të ngushticës, ndërsa të dyja palët vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund një konflikti që ka ndërprerë furnizimet globale me energji.

“Teherani dëshiron që korridori kritik i transportit të naftës dhe gazit të hapet sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa përpiqet të zgjidhë çështjet e brendshme të lidershipit,” u shpreh Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se Irani po “shpërbëhet”.

Implikime globale

Irani ka sinjalizuar se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje të përkohshme për të rihapur ngushticën në këmbim të përfundimit të bllokadës së Uashingtonit ndaj porteve iraniane, ndërkohë që shtyn negociatat komplekse mbi programin bërthamor të vendit. Ai këmbëngul në ruajtjen e një farë kontrolli mbi transportin detar përmes ngushticës, diçka që Uashingtoni nuk ka gjasa ta pranojë.

Trump e hodhi poshtë propozimin e Iranit, sipas WSJ, dhe tha se ai zbulonte se Irani nuk po negocionte me mirëbesim. Ndërmjetësuesit në Pakistan presin që Irani të paraqesë një propozim të rishikuar për t’i dhënë fund konfliktit në ditët në vijim, raportoi CNN, duke cituar burime pranë procesit të ndërmjetësimit.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit përsëri dhe qëndroi mbi 111 dollarë për fuçi, ndërsa përshkallëzohen shqetësimet se proceset e paqes nuk po i afrohen përfundimit, që do të thotë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për një periudhë më të gjatë kohore.

Ndikimi i konfliktit u nënvizua nga njoftimi i Emirateve të Bashkuara Arabe se po tërhiqeshin nga OPEC, duke i dhënë një goditje kartelit të naftës dhe udhëheqësit të tij, Arabisë Saudite. Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat mund të prodhojnë më shumë naftë bruto sesa lejon kuota e tyre në OPEC, kanë shprehur prej kohësh pakënaqësi me kufizimet që vendos ai.

Bllokim diplomatik

Palët ndërluftuese filluan një armëpushim më 7 prill, por armiqësitë ka të ngjarë të vazhdojnë nëse nuk ka marrëveshje për bisedime të reja, pas raundit të parë të pafrytshëm në Pakistan.

Propozimi i Iranit për t’i dhënë fund konfliktit është “më i mirë nga sa prisnim,” tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, për Fox News.

Udhëheqësit e huaj, nga ana e tyre, duken gjithnjë e më të frustruar me ngërçin diplomatik dhe “bllokadën” e vazhdueshme në rrugën kritike detare, e cila ka çuar në racionimin e karburantit në pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës dhe po intensifikon frikën e një ngadalësimi ekonomik global.

Scroll to Top