22 kompani të themeluara nga gjimnazistët sjellin produkte inovative në Festivalin e Sipërmarrjes
“Hydrion”, një sistem inteligjent për monitorimin e cilësisë së ujit, është një nga produktet e prezantuara në Festivalin Kombëtar të Sipërmarrjes 2026 – GEN-E Albania, i cili u mbajt në kryeqytet më 7-8 maj.
Në këtë edicion morën pjesë 22 kompani të themeluara nga nxënës të shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria, të cilët prezantuan produktet, idetë dhe zgjidhjet e tyre sipërmarrëse.
Aktiviteti është tashmë një traditë 14-vjeçare e Junior Achievement of Albania, e cila u ofron të rinjve mundësi për të zhvilluar aftësi sipërmarrëse dhe për t’u përgatitur për tregun e punës.
Përmes këtij programi, nxënësit përfshihen në procese praktike si menaxhimi financiar, krijimi i ideve inovative, puna në grup, marrja e vendimeve dhe drejtimi i suksesshëm i një kompanie.
Monitor bisedoi me 5 nxënës të shkollës së mesme “Arben Broci” në Tiranë, themelues të kompanisë “BlueNova”, të cilët gjatë aktivitetit prezantuan produktin “Hydrion”, krijuar prej tyre për monitorimin e cilësisë së ujit.
Presidentja e kompanisë, Ina Sinomati, nxënëse në shkollën e mesme “Arben Broci” në Tiranë, shpjegoi se produkti i prezantuar është krijuar nga vetë nxënësit dhe financuar me buxhetin e tyre.
Sipas saj, “Hydrion” është një sistem inteligjent për monitorimin e cilësisë së ujit, i dizajnuar për komunitete rurale, shkolla, familje dhe zona me mungesë uji të sigurt. Ai përdor sensorë për të matur turbullirën, nivelin e pH-së dhe ndotës të tjerë, duke paralajmëruar përdoruesit përmes dritave LED, alarmit dhe një aplikacioni në telefon.
Struktura e tij ndërtohet nga plastikë e ricikluar nga oqeanet, duke kombinuar sigurinë e ujit, teknologjinë dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
“Ky është një produkt i dizajnuar prej nesh, mjaft praktik për t’u përdorur me qëllim monitorimin e cilësisë së ujit. Është një produkt shumë i kërkuar sidomos nga turistët, të cilët shpesh nuk kanë informacion mbi cilësinë e ujit që konsumojnë kur vizitojnë vendin tonë”, tha nxënësja Ina Sinomati.
Ndër produktet e tjera të prezantuara nga sipërmarrjet e ngritura nga nxënësit spikatën zgjidhje për personat me aftësi të kufizuara në shikim, produkte inovative të bazuara në inteligjencën artificiale dhe teknologji të gjelbra për mbrojtjen e mjedisit.
22 kompanitë pjesëmarrëse u përzgjodhën mes 630 nxënësve të shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale, të cilët morën pjesë në tre trajnime intensive të programit “Kompania e Nxënësve” gjatë periudhës dhjetor 2025 – mars 2026.
Ata testuan idetë e tyre, zhvilluan plane konkrete biznesi dhe fituan aftësi praktike për menaxhimin e një kompanie nxënësh.
Nxënësit morën pjesë në 13 sesione trajnimi të strukturuara rreth tre temave kryesore: Design Thinking, menaxhimi i projektit dhe i buxhetit, si edhe raportimi dhe komunikimi.
Ata zhvilluan plane konkrete për kompanitë e tyre, analizuan tregun dhe vendosën objektiva të qarta për idetë e biznesit.
Gjithashtu, ndanë përgjegjësitë, organizuan aktivitetet dhe praktikuan bashkëpunimin gjatë menaxhimit të kompanive të tyre, duke prezantuar produktet dhe shërbimet para bashkëmoshatarëve dhe mentorëve.
Në këtë edicion, kompania fituese do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian GEN-E 2026, i cili këtë vit do të zhvillohet në Riga, ku nxënësit do të prezantojnë idetë dhe kompanitë e tyre përpara një audience ndërkombëtare.
