Dritë jeshile për trajtimin e malaries te foshnjat, OBSH miraton ilaçin e dedikuar
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar trajtimin e parë kundër malaries, i cili është zhvilluar posaçërisht për foshnjat. Ky hap i rëndësishëm hap rrugën për përdorim më të gjerë në nivel global.
Ilaçi i ri, i njohur si Artemether-lumefantrine, synon të zëvendësojë praktikat aktuale të trajtimit, ku foshnjat shpesh merrnin doza të përshtatura nga medikamentet për fëmijë më të rritur, duke paraqitur kështu rreziqe shtesë.
Sipas OBSH-së, ky zhvillim paraqet një përparim thelbësor në luftën kundër malaries. Malaria është një sëmundje që, vetëm në vitin 2024, ka shkaktuar rreth 610 mijë viktima, kryesisht fëmijë të vegjël në Afrikë.
Ky trajtim i ri është i përshtatshëm edhe për foshnjat shumë të vogla dhe mund të administrohet lehtësisht, pasi mund të tretet në lëngje ose qumësht gjiri.
