Operacion spektakolar në Porto Riko: Helikopteri amerikan “Black Hawk” ndjek skafin me kokainë. Trafikantët hedhin drogën në det, por më pas… (VIDEO)
Forcat ajrore dhe detare të SHBA-së dërguan një helikopter “Black Hawk” për të kapur një mjet lundrues të ngarkuar me drogë pranë brigjeve të Porto Rikos. Fox News raporton se operacioni ka ndodhur më 14 maj, ndërsa pamjet janë bërë publike të premten, 29 maj.
Autoritetet amerikane zbuluan një mjet lundrues 25 metra të gjatë, me në bord tre persona dhe disa pako të dallueshme. Njësia Detare e San Juan dërgoi një anije patrulluese të shoqëruar nga një helikopter “Black Hawk”.
Gjatë operacionit u arrestuan 3 shtetas nga Republika Domenikane dhe në bord u gjetën rreth 180 kg kokainë. Siç duket edhe nga pamjet, tre trafikantët hedhin në det ngarkesën, por më pas kanë vënë duart mbi kokë pasi nga helikopteri “Black Hawk” u lëshua një breshëri plumbash paralajmërues drejt tyre.
Agjentët iu afruan mjetit lundrues të drogës dhe e tërhoqën drejt anijes amerikane patrulluese.
Finalizimi me sukses i operacionit duke përdorur “Black Hawk” është vetëm një shfaqje e fundit e fuqisë ushtarake amerikane, e cila ka vënë në shënjestër trafikantët e drogës në jug të kufirit amerikan.
“Ekipet tona të Operacioneve Ajrore dhe Detare demonstruan aftësi dhe koordinim të jashtëzakonshëm në këtë ndalim. Përdorimi vendimtar i zjarrit ajror paralajmërues nga ekuipazhi ynë i Black Hawk ishte i rëndësishëm në ndalimin e mjetit lundrues dhe në parandalimin e arratisjes së narkotikëve të rrezikshëm drejt komuniteteve tona”, tha Drejtori i Degës së Forcës Ajrore dhe asaj të Detit të Karaibeve, Christopher Hunter.
Pas fillimit të mandatit presidencial, Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se do të përdorte të gjitha mjetet e disponueshme për të etiketuar kontrabandën e drogës si një kërcënim për tokën amerikane. Më 20 janar 2025, Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të shkaktuar nga fluksi i narkotikëve. Gjithashtu, forcat ajrore të SHBA kanë bombarduar disa anije të ngarkuara me kokainë, të cilat kanë për destinacion brigjet amerikane.
