Pse opozita hesht për skandalin e Ballukut? A nuk frymëzon më, apo ka një pakt heshtjeje me pushtetin?
Në çdo vend demokratik, kur pushteti përballet me akuza të rënda korrupsioni, opozita është ajo që duhet të ndezë motorët për të kërkuar llogari. Por në Shqipëri kjo nuk po ndodh. Edhe pse një ministre e rëndësishme e qeverisë, Belinda Balluku, është e përfshirë në një aferë prej 50 milionë euro, opozita hesht. Nuk ka asnjë aksion politik, asnjë protestë, asnjë reagim serioz përballë një rasti që në çdo vend tjetër do ta trondiste skenën politike.
Në janarin e vitit 2011, opozita e atëhershme, sot në pushtet, mbushi bulevardin për bllokun e Metës. Atëherë mjaftoi një video e paqartë për të ndezur zemërimin qytetar. Sot, me dokumenta dhe akuza zyrtare, askush nuk lëviz.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, premton protesta, flet për përballje, për “stuhi politike”, por gjithçka mbetet në kuadrin e fjalëve. Dhe kur protesta paralajmërohet për muaj të tërë, pa një plan konkret dhe pa veprim, ajo humbet fuqinë dhe besueshmërinë.
Po pse ndodh kjo? Sepse opozita e sotme duket e lodhur, pa strategji dhe pa frymë. Sepse njerëzit nuk u besojnë më thirrjeve që përsëriten pa veprim. Ose ndoshta sepse ekziston një heshtje e dakordësuar, një pakt i padukshëm, ku askush nuk do të trazojë ujërat sepse secili do të ruajë interesat e veta.
Në fund, pyetja nuk është më pse pushteti sillet si i paprekshëm, por pse opozita e lejon këtë? Një opozitë që nuk reagon, në thelb, është bërë pjesë e të njëjtit sistem që pretendon se po lufton.
