Osmani: Qytetarët duan kompromis, jo “one man show”

Zgjedhjet në Kosovë, Osmani për CNN: Qytetarët duan kompromis, mesazhi duhet lexuar nga forcat politike. Nuk ka vend për “one man show”.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të ri në këtë post, deklaroi në një intervistë për CNN se mesazhi i qytetarëve në zgjedhjet e së dielës ishte i qartë: ata duan kompromis mes palëve. Ajo theksoi se mesazhi i tyre duhet interpretuar siç duhet nga forcat politike, duke shtuar se nuk ka vend për një politikë të stilit “one man show”. Kjo deklaratë duket se i referohet kryeministrit Albin Kurti, me të cilin Osmani ka pasur një distancim pasi nuk e ka mbështetur për një rikandidim si presidente.

Osmani nënvizoi se bashkëpunimi mes palëve është thelbësor jo vetëm për të zgjidhur ngërçin rreth zgjedhjes së presidentit, por edhe për formimin e qeverisë.

Ajo u shpreh:

  • “Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe s’ka vend për një politikë të llojit “one man show”.
  • Ndërsa vendet e tjera në rajon mund të zgjedhin atë lloj rruge ku dikush kontrollon gjithçka, Kosova gjithmonë ka qenë një model për demokracinë. Kur forcat politike janë bashkuar mbi çështjet e interesit kombëtar dhe kanë punuar së bashku, gjithmonë ka pasur zgjidhje që kanë sjellë përfitime për vendin tonë, brenda vendit por edhe ndërkombëtarisht.
  • Prandaj shpresoj që ky mesazh i qytetarëve të lexohet në mënyrën e duhur nga të gjithë forcat politike. Sigurisht që nga ana jonë do të lexohet në mënyrën e duhur.
  • Dhe çdo përpjekje nga ana jonë do të fokusohet në gjetjen e kompromisit dhe krijimin e institucioneve sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të ecim përpara me disa vendime shumë të rëndësishme për interesin e vendit.
  • Në këtë pikë, kompromisi është i nevojshëm jo vetëm për ta zgjedhur presidentin, por edhe për ta zgjedhur qeverinë e re dhe udhëheqjen e parlamentit. Pra për të tre institucionet, do të na duhet një kompromis i ri.
  • S’mendoj se kompromisi duhet të shihet si një fjalë e keqe, ose diçka negative. Përkundrazi, kompromisi është vlera më e mirë që mund ta kesh në politikë.
  • Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë.
Scroll to Top