Rritja e fotovoltaikëve, OSSH studim për investimet në rrjetin e shpërndarjes sipas nevojës
Rritja e numrit të centraleve fotovoltaike dhe e konsumatorëve vetëprodhues po krijon nevojën për të përcaktuar kapacitetet që mund të përballojë rrjeti shqiptar i shpërndarjes dhe ndërhyrjet e nevojshme për integrimin e prodhimit të ri të energjisë.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka nisur procedurat për një studim gjithëpërfshirës, i cili do të analizojë:
- Ndikimin e burimeve fotovoltaike në rrjetin ekzistues.
- Kapacitetet aktuale për pranimin e prodhimit të ri.
- Nevojat për fuqizimin dhe modernizimin e infrastrukturës së rrjetit.
Dokumenti parasheh gjithashtu analizimin e nevojës për një planifikim të integruar të investimeve në rrjet mes OSSH dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), me synim efikasitetin në absorbimin e gjenerimit nga burimet fotovoltaike.
Studimi do të vlerësojë potencialin për integrimin e impianteve të reja fotovoltaike duke analizuar kapacitetet aktuale të rrjetit, si dhe kufizimet teknike dhe ekonomike që mund të pengojnë shtimin e tyre. Analiza do të përfshijë aspekte të tilla si:
- Tensioni.
- Humbjet teknike.
- Flukset e fuqisë.
- Stabiliteti dhe siguria e operimit të sistemit.
Në rrjetin e tensionit të mesëm do të modelohen skenarë me prodhim maksimal nga centralet fotovoltaike, duke matur ngarkimin e linjave dhe transformatorëve. OSSH synon që nga ky studim të identifikohen konkretisht nevojat për fuqizimin dhe modernizimin e rrjetit, në mënyrë që ai të mund të pranojë kapacitete të tjera fotovoltaike.
Nevojë për këtë vlerësim vjen në një kohë kur numri i aplikimeve për lidhjen e impianteve fotovoltaike dhe për vetëprodhues është në rritje. Sipas OSSH, kjo ka shtuar angazhimin për planifikimin dhe operimin e rrjetit, ndërsa kompania po punon për rritjen e kapaciteteve absorbuese dhe zhvillimin e rrjetit inteligjent.
Situata aktuale në shifra:
Të dhënat e operatorit tregojnë se në rrjetin e shpërndarjes janë aktualisht 236 burime gjeneruese, me një kapacitet total të instaluar prej 516.349 MW. Prej tyre:
- 51 janë impiante fotovoltaike, me fuqi të instaluar 136.716 MW.
- 185 janë hidrocentrale, me kapacitet 379.633 MW.
Krahas prodhuesve, është zgjeruar edhe segmenti i vetëprodhuesve. Në fund të vitit 2025, në rrjet rezultonin të lidhur 3,551 konsumatorë vetëprodhues, me një fuqi totale të instaluar prej 286.25 MWp.
Studimi do të trajtojë veçmas këtë kategori, duke u fokusuar te impiantet fotovoltaike për vetëprodhim deri në 500 kWp. Ai duhet të hartojë një metodologji për llogaritjen e kapacitetit që mund të lejohet në pjesë të ndryshme të rrjetit dhe të vlerësojë mundësitë për rritjen e kapacitetit të injektimit të energjisë nga impiantet e vetëprodhuesve.
Një pjesë tjetër e projektit lidhet me procesin e aplikimit për lidhje. OSSH kërkon një sistem që të mundësojë vlerësimin paraprak të kapacitetit të rrjetit për lidhje të reja, identifikimin automatik të kufizimeve teknike në zona të caktuara dhe ndjekjen e aplikimeve në mënyrë të digjitalizuar.
Për realizimin e këtij projekti, OSSH ka hapur një tender me objekt “Studimi i ndikimit të burimeve fotovoltaike në rrjet dhe automatizimi i procesit aplikim/miratim i pikës së lidhjes vetëprodhues/prodhues në rrjetin e shpërndarjes së OSSH sh.a”. Fondi limit i parashikuar është 41.25 milionë lekë pa TVSH, ose 448,254 euro, ndërsa kontrata parashikohet të zgjasë nëntë muaj.
