Rama rrëfen takimin me Angela Merkel: “Natën më parë nuk kam fjetur”
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar rikthimin e podkastit të tij “Flasim”, ku në puntatën e parë iu përgjigj 300 pyetjeve të gazetares Rudina Xhunga. Gjatë intervistës, Rama ka rrëfyer një episod të veçantë nga vitet e para të detyrës së tij si kryeministër, duke treguar përjetimet nga takimi me ish-kanceleren gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Ai theksoi se ky ishte rasti i vetëm kur nuk ka fjetur një natë më parë për shkak të pasigurive.
“Kur kam takuar për herë të parë Angela Merkel, është takimi i vetëm që unë nuk kam fjetur një natë më parë,” tha Rama. “Sepse unë nuk e kuptoja atë person. Unë përgatitesha, sepse gjithmonë lexon, përgatitesh që të kuptosh, bën një strategji. Unë isha kryeministri i Shqipërisë në 2014, ne ishim në atë fazën që… dhe kisha pasiguri sepse në televizor ajo të krijon idenë e një drejtoreshe të një shkolle me nxënës që marrin dhjetë.”
Më tej, Rama ka ndarë pjesë nga biseda me Merkel, duke përfshirë një koment që ajo i bëri për ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Kur shkova, ajo gjithmonë kishte atë mënyrën që të nxirrte në ballkon me një gotë shampanjë dhe fliste,” tregoi Rama. “Ndër të tjera më thotë mua: ‘Çfarë ndodh me opozitën aty?’. I thashë që drejtimin e ka marrë një i ri (duke iu referuar Lulzim Bashës). ‘Çfarë bëhet me atë tjetrin’- më pyeti. I thashë nuk është më në krye por aty është. ‘Problem’- më tha.”
Rama ka pyetur Merkel për arsyen, dhe ajo shpjegoi:
“Unë i jam shumë mirënjohëse Helmut Kohl sepse ai më prodhoi. Por kur u bëra kryetare e partisë, ai vazhdoi të rrinte aty. Vinin njerëzit tek unë dhe pastaj shkonin tek ai. Një ditë shkova dhe i thashë që kjo nuk shkon sepse tani jam unë,” tregoi Merkel, sipas Ramës.
Ajo vazhdoi:
“Përgjigja e Kohl ishte: ‘Unë jam këtu për të të ndihmuar’. Dhe Merkel i kishte thënë: ‘Jo sepse unë nuk kam nevojë për këtë ndihmë’. Por Kohl vazhdoi dhe Merkel i kishte thënë: ‘Do më detyrosh…’. Ajo më tha pastaj se mendonte që kur të vjen dita për të ikur, ikën sepse çdo parti demokratike ku pasardhësi konsiderohet si trashëgimtar, është e vështirë, në mos e pamundur, që të funksionojë.”
