PriceWatch Albania: Transparencë çmimesh nga sera në raft

Nga sera te rafti i supermarketit, në shtator nis “Pricewatch Albania”, iu shërben konsumatorëve

“PriceWatch Albania”, platforma e re që synon të sjellë transparencë mbi çmimet e ushqimeve bazë, pritet të bëhet aktive në shtator. Kjo platformë do t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet nga prodhimi deri në pikën e shitjes, ndërsa institucionet do të kenë mundësinë të monitorojnë lëvizjet përgjatë zinxhirit të furnizimit. Synimi kryesor është rritja e konkurrencës dhe frenimi i abuzimeve me çmimet.

“Po çmimet, ja ashtu. Domatja 120, kastraveci 100. Dikush e ka më lirë e dikush më shtrenjtë”, shprehet një qytetar.

Qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj do të kenë në dispozicion, në kohë reale, çmimet e frutave, perimeve dhe të tjera kategorive të ushqimeve bazë. Këto informacione do të jenë të pasqyruara duke filluar nga fushat dhe serrat ku kultivohen, te pikat e grumbullimit dhe më pas te pikat e shitjes me pakicë.

Platforma “PriceWatch Albania” – “Pasqyra e Çmimeve”, e cila do të bëhet aktive nga muaji shtator, ka për qëllim të sjellë transparencë dhe të parandalojë abuzimet. Përmes saj, konsumatorët do të mund të shohin çmimet e produkteve bazë, t’i krahasojnë ato dhe të zgjedhin se ku mund t’i blejnë më lirë. Në anën tjetër, institucionet do të mund të ndjekin të gjithë zinxhirin e çmimit, duke filluar nga importi apo prodhimi deri në pikën e shitjes. Kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se ku krijohen diferencat dhe të identifikojnë abuzimet.

Scroll to Top