Berisha mbetet kandidati i vetëm për kreun e PD-së, Salianji reagon pas përjashtimit për shkak të dënimit për skandalin “Babale”
Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili ka përcaktuar edhe kriteret dhe afatet për kandidatët.
Sipas dokumentit zyrtar, procesi bazohet në nenet përkatëse të statutit të partisë dhe në vendimin e Kryesisë së PD-së të datës 17 mars 2026. Afati për dorëzimin e kërkesave për kandidim është caktuar data 30 prill 2026, ora 12:00.
Kandidatët që synojnë drejtimin e Partisë Demokratike duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përcaktuara qartë. Mes tyre përfshihen:
- Detyrimi për të qenë anëtarë të PD-së me një profil të lartë publik dhe politik.
- Një angazhim i paktën 10-vjeçar në parti.
- Eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.
- Përmbushja e kritereve të ligjit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike.
Dokumentacioni për kandidim duhet të dorëzohet pranë KOKOE dhe përfshin kërkesën me shkrim, shprehjen e interesit dhe curriculum vitae, si dhe formularin e plotësuar të pastërtisë së figurës. Vendimi mban firmën e kryetares së komisionit, Albana Vokshi, dhe hyn në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë një gare të re për drejtimin e Partisë Demokratike.
Sali Berisha për momentin është kandidati i vetëm në garën për kryetar. Deri në skadimin e afatit për depozitimin e kandidaturave pranë Komisionit të Zgjedhjeve në PD, asnjë demokrat nuk ka shfaqur ambicien për t’i dalë përballë kryetarit. Kush kërkon të sfidojë në minutë të fundit ka afat deri nesër në mesditë për të depozituar dokumentacionin.
Udhëzimi i lëshuar me 18 mars, por që u bë publik vetëm një ditë para skadimit të afatit për depozitimin e kandidaturave përcakton edhe kriteret për pjesëmarrje në garën e 23 majit. Mes kritereve bie në sy ai i dekriminalizimit, që mesa duket prek Ervin Salianjin, i vetmi emër që ka shpallur publikisht ambicien për të sfiduar Sali Berishën në garën për kryetar.
Reagon Salianji
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka treguar hapat që do të ndërmarrë, pasi PD publikoi kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për zgjedhjet e 23 majit për kryetar të kësaj force politike.
I pyetur nëse do të dorëzojë nesër dokumentacionin për të kandiduar, Salianji tha se do të depozitojë të gjitha dokumentet e kërkuara, pavarësisht padrejtësive që sipas tij po bëhen nga kupola drejtuese e PD-së, me qëllim lënien jashtë garës të kandidatëve të tjerë.
“Do depozitoj gjithçka është kërkuar, pavarësisht se është qartësisht farsë. Një dokument që publikohet vetëm disa orë para mbylljes së afatit. Pa lista zgjedhore, pa kohë të barabartë, etj. Kjo është uzurpim përmes farsës, por qartësisht edhe frikë e Sali Berishës për t’u përballur”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi se nëse dokumentacioni i tij për të kandiduar nuk do të pranohet, ai nuk do ta njohë procesin, pasi sipas tij, është uzurpim i postit të kryetarit të PD-së.
“Nuk do e njoh si proces, është uzurpim”, tha Salianji në rast refuzimi të dokumentacionit.
Reagimi i Salianjit erdhi pasi udhëzimi i PD-së, i bërë publik 24 orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave, e lë ish-deputetin jashtë garës, pasi parashikohet që personat e dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të kandidojnë. Salianji është dënuar me vendim të formës së prerë me 1 vit heqje lirie, për ‘shpifje’ në lidhje me dosjen ‘Babale’, dënim të cilin e ka përfunduar.
