POS në Autobusë: Tarifat Bankare, Probleme dhe Kërkesa

POS-et në autobusë, bankat konfirmojnë tarifat; Shoqata e Transportit kërkon mbulim kostosh

Shërbimi i transportit publik vazhdon të jetë në mëdyshje lidhur me zbatimin e sistemit POS/POI në autobusë, një risi që do t’u mundësojë qytetarëve të blejnë biletën me kartë bankare.

Problematikat kryesore për vonesën e këtij shërbimi janë lidhur me kostot e komisioneve bankare dhe kushtet teknike për instalimin e pajisjeve, përfshirë lidhjen e internetit dhe kostot e mirëmbajtjes.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, nëpërmjet një letre drejtuar bankave, ka kërkuar informacion mbi:

  • Tarifat e instalimit të pajisjeve.
  • Kostot e mirëmbajtjes.
  • Komisionet për çdo transaksion.
  • Mundësinë e tarifave preferenciale për sektorin e transportit publik.

Disa banka të nivelit të dytë kanë kthyer përgjigje, duke konfirmuar tarifat e komisioneve të mëparshme. Këto tarifa përfshijnë:

  • Komision për transaksionet me karta VISA/MasterCard kombëtare: deri në 2.70% për transaksion.
  • Komision për karta ndërkombëtare: deri në 3.20% për transaksion.
  • Tarifë fikse për transaksion: 30 lekë / 0.30 euro.
  • Komision instalimi terminali POS: 5,000 lekë.
  • Komision mirëmbajtje mujore terminali POS: 1,000 lekë/muaj.
  • Komision mos-përdorimi terminali POS: 1,000 lekë/muaj.
  • Kosto e terminalit POS në raste kontraktuale: deri në 50,000 lekë.
  • Komision për procedura “chargeback”: 500 lekë për rast.

Bankat kanë konfirmuar gjithashtu shqetësimin e ngritur nga operatorët për kostot shtesë të nevojshme për funksionimin e shërbimit, siç është instalimi i internetit, i cili mungon aktualisht në autobusë.

“Funksionimi i shërbimit mbështetet në lidhjen përmes rrjetit celular, nëpërmjet kartës SIM ose Wi-Fi, duke mundësuar transmetimin e sigurt të të dhënave dhe përpunimin në kohë reale të çdo transaksioni”, sqarojnë bankat.

Kryetari i Shoqatës Kombëtare e Transportit Qytetas, Kostandin Foni, ka deklaruar se pas marrjes së përgjigjeve nga 13 bankat që operojnë në vend, do të kërkohet një tryezë diskutimesh me institucionet shtetërore dhe Bashkinë e Tiranës për mbulimin e kostos së komisioneve bankare për biletat.

Scroll to Top