Protesta qytetare kundër projektit në Zvërnec, BE i bën thirrje Shqipërisë të mbrojë natyrën
Protestat kundër projektit zhvillimor në zonën e Zvërnecit kanë hyrë në ditën e nëntë, duke u karakterizuar nga pjesëmarrja e lartë e të rinjve dhe familjarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Zyrtarisht, ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Europian, i cili ka bërë thirrje për mbrojtjen e habitateve natyrore.
Në një deklaratë, BE thekson rëndësinë e ruajtjes së natyrës, duke sjellë në vëmendje se:
- “Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë.”
- “Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë.”
- Shpendët luajnë një rol thelbësor në natyrë, duke shpërndarë fara, kontrolluar insektet dhe duke ndihmuar në funksionimin e shëndetshëm të ekosistemeve.
- Humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
“Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.
