Protestë masive në Shkup për ish-krerët e UÇK
Në sheshin “Skënderbeu”, mijëra shqiptarë u mblodhën për të shprehur njëzëri kërkesën për drejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këtë të shtunë, ishte radha e Shkupit të ngrejë zërin kundër padrejtësive të pretenduara nga Gjykata Speciale e Hagës.
Veteranët e luftës kërkuan gjykim të drejtë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Gjatë fjalës së tij, një veteran theksoi se pas dërgimit të drejtuesve të UÇK-së në Hagë, u mbyll sikurse dera e luftëtarëve të lirisë. Megjithatë, ai shtoi se kjo nuk do të ndodhë kurrë, pasi asgjë s’mund të shuajë diellin e UÇK-së.
“Me shkronja bëhet alfabeti dhe me shkronja shkruhet kombi. Të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Tre shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK. Mirënjohje për ata që dhanë jetën për lirinë e kombit.
Kur bie burri dhe perëndon dielli, mbyllet dera, thoshte Konufci i lashtë. Ashtu u duk që pas dërgimit në Hagë të drejtuesve të UÇK-së, u mbyll dera e luftërave të lirisë. Por kjo s’do të ndodhë kurrë, sepse asgjë s’mund të perëndojë diellin e UÇK.
UÇK është fotosinteza e kombit shqiptar. Këtu është së bashku me ne shpata e Skënderbeut, lutja e Nënë Terezës, është pena e Samiut dhe Avdylit, diplomacia e Ismail Qemalit, pushka e Adem Jasharit, [dhe] Shkëlzen Haradinajt.
Askush s’mund ta njollosë UÇK-në e lavdishme. Në këtë betejë, UÇK ka pasur SHBA-në, aleatin tonë. LIRI për çlirimtarët, një komb një histori, drejtësi për çlirimtarët!”, u shpreh ai.
