KE: Punësimi informal në Shqipëri, një sfidë e madhe
Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit për Shqipërinë, duke theksuar se emigrimi i të rinjve dhe informaliteti në tregun e punës mbeten probleme të rëndësishme për vendin.
Raporti nënvizon se:
- “Punësimi informal vazhdon të jetë një problem i madh, me shumë punëtorë që nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore dhe mbrojtje ligjore.”
- Mosdeklarimi i pagave reale është i përhapur, duke dëmtuar sistemin e pensioneve dhe duke ulur besimin në tregun e punës.
- Emigracioni i vazhdueshëm i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar “përkeqëson mungesën e fuqisë punëtore në sektorët kyç dhe kontribuon në një ikje të trurit”.
Komisioni vë në dukje se politikat aktive të tregut të punës janë të pamjaftueshme, duke kufizuar aftësinë e punëtorëve për t’u përshtatur me kërkesat e reja të ekonomisë dhe për të gjetur punë më cilësore.
Në përfundim, raporti thekson se mbulesa e sistemit të asistencës sociale mbetet e kufizuar, ndërsa bashkëpunimi midis Inspektoratit të Punës, Shërbimeve Sociale, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve “vazhdon të jetë i dobët”.
Komisioni Evropian kërkon përmirësimin e kushteve të punës, forcimin e institucioneve që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe zbatimin e politikave konkrete për të frenuar valën e emigrimit të të rinjve shqiptarë.
