Qiraja në Tiranë: Sfida të forta përballueshmërie në 2026

Qiraja mesatare në Tiranë arrin 721 euro në muaj, duke u bërë sfidë përballueshmërie. Ja zonat më të shtrenjta.

Qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë për vitin 2026 ka arritur në 721 euro në muaj, sipas të dhënave të agjencive imobiliare. Ndërsa çmimet e qirave vijojnë të rriten, të ardhurat mujore nuk po ndjekin të njëjtin ritëm, duke e kthyer koston e strehimit me qira afatgjatë përtej kufijve të përballueshmërisë së rekomanduar nga koeficienti ndërkombëtar. Ky fenomen paraqet një nga sfidat më të mëdha financiare për individët dhe familjet.

Sipas koeficientit ndërkombëtar, që përdoret për vlerësimin e përballueshmërisë së strehimit, qiraja konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30% të ardhurave mujore bruto të familjes ose individit. Kur qiraja kalon mbi këtë prag, ajo konsiderohet e papërballueshme dhe sinjalizon stres financiar për strehimin.

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti 90,119 lekë (rreth 930 euro) për tremujorin e parë të vitit 2026, sipas INSTAT. Duke u bazuar në formulën e koeficientit ndërkombëtar, një individ duhet të shpenzojë 77% të ardhurave të tij bruto, ose 720 euro, për të paguar koston e qirasë. Nëse merret parasysh paga mesatare neto prej rreth 72 mijë lekësh (740 euro), shpenzimet për qiranë arrijnë rreth 97% të të ardhurave mujore neto, duke e bërë strehimin praktikisht të papërballueshëm për një individ mesatar.

Kostoja e strehimit mbetet problematike edhe për familjet me më shumë se një të punësuar. Një familje me tre anëtarë (dy të rritur dhe një fëmijë), me të ardhura mesatare bruto rreth 182,200 lekë, duke paguar një qira prej 721 eurosh në muaj, shpenzon rreth 39% të të ardhurave për strehim. E llogaritur me të ardhurat neto, kjo përqindje arrin rreth 49%.

Krahas kostove të larta të strehimit, edhe shpenzimet për ushqime vijojnë të zënë peshën më të madhe të buxhetit familjar. Në Shqipëri, ato përbëjnë rreth 40% të shpenzimeve mujore, duke qenë ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian (rreth 13%) dhe atë të rajonit (nën 35%). Në vitin 2024, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, një rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2023. Megjithëse shpenzimet totale janë rritur, struktura e buxhetit ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me ushqimin që zë peshën më të madhe.

Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimet e qirave janë të qëndrueshme me nivelin e vitit të kaluar. Për vitin 2025, në zonat pranë qendrës së Tiranës, çmimet mesatare të qirave për apartamente tipologjie 1+1 variojnë nga 600-900 euro në muaj, ndërsa në periferi qiratë janë 400-500 euro.

Sipas një vëzhgimi të mëparshëm për vitin 2026, në Tiranë, çmimet e qirave për apartamente afatgjatë kanë shënuar tendencë rritëse krahasuar me vitin 2025. Pranë stadiumit “Dinamo”, apartamentet tipologjia 1+1 variojnë nga 500 deri 1,000 euro, një rritje deri në 25% në çmimet maksimale. Në zonën e Liqenit, çmimet maksimale të apartamenteve 1+1 kanë arritur deri në 1,500 euro në muaj, një rritje prej 15% krahasuar me 1,300 euro në vitin 2025. Pranë Komunës së Parisit, për apartamentet 1+1, çmimet e qirasë për vitin 2025 varionin nga 500 deri në 800 euro. Për vitin 2026, në rrugën e Kosovarëve, apartamentet 1+1 (përfshirë post parkimi) kanë arritur 900 euro.

Agjentët imobiliarë shpjegojnë se rritja e çmimeve nuk është vetëm pasojë e kërkesës së lartë, por edhe e shfrytëzimit të pronave për qira afatshkurtër, që pakëson ofertën e disponueshme për qira afatgjata. Ky fenomen po shton presionin mbi tregun dhe pritet të ndikojë edhe në vitin 2026.

Të dhënat nga AirDNA, njësia analitike e platformës Airbnb, tregojnë se në Tiranë në vitin 2025 ishin listuar mesatarisht rreth 5,200 njësi, krahasuar me rreth një mijë në vitin 2021. Në nivel vendi, për vitin 2025, ishin rreth 26,300 apartamente të dhëna me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb, Booking dhe Expedia, një rritje prej rreth 25% krahasuar me 21,000 në vitin 2024.

Në shtrenjtimin e qirave ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të apartamenteve, sidomos për zonat afër qendrës, sipas Stela Dhamit nga “Colliers Albania”.

Scroll to Top