Tregu i auditimit arrin në 16.6 milionë euro, renditja e 15 shoqërive më të mëdha
Të ardhurat e realizuara nga honorarët e shërbimeve të auditimit ligjor arritën në rreth 17 milionë euro në vitin 2025. Ky vit shënon një rritje prej 9.8% krahasuar me vitin paraprak.
Tregu i auditimit në vitin 2025 qarkulloi 1.6 miliardë lekë, ose rreth 16.6 milionë euro, në volumin e të ardhurave të realizuara nga honorarët e shërbimeve të auditimit ligjor. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 9.8% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Të dhënat u bënë publike nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP), një autoritet rregullator i pavarur përgjegjës për kontrollin e zbatimit të kritereve ligjore tek audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.
Një analizë e të dhënave të raportuara në veprimtarinë e BMP-së nxjerr në pah tendencën në rritje të volumit të honorarëve nga shërbimet e auditimit ligjor. Ky tregues reflekton vlerësimin e punës së audituesve dhe rezulton nga mbikëqyrja efektive për sigurimin e cilësisë.
Tregu i auditimit ka treguar një ecuri në zgjerim. Në vitin 2025, është regjistruar një rritje mesatare prej 14.4% të të ardhurave vjetore nga shërbimet e auditimit ligjor, krahasuar me një rritje mesatare prej 5.9% të njësive ekonomike të audituara.
Sipas të dhënave të BMP-së, në fund të vitit 2025, në tregun e auditimit rezultonin të regjistruar 260 auditues ligjorë. Nga këta, 153 ushtrojnë aktivitetin si persona fizikë, ndërsa 79 janë shoqëri auditimi me 28 auditues ligjorë të punësuar secila.
Gjatë pesë viteve të fundit, të ardhurat e realizuara nga shërbimet e auditimit kanë qenë në rritje si për shoqëritë e auditimit, ashtu edhe për audituesit ligjorë individualë. Në vitin 2025, shoqëritë e auditimit kanë realizuar 70% të të ardhurave, ndërsa audituesit ligjorë individualë 30%.
Renditja e shoqërive më të mëdha
Në vitin e shtatë të publikimit të renditjes, Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka paraqitur një panoramë të shoqërive të auditimit dhe pozicionimin e tyre në treg, bazuar në totalin e honorarëve të shërbimeve të kryera gjatë vitit 2025 për auditimin ligjor të njësive ekonomike.
Referuar raportit të veprimtarisë për vitin 2025:
- Forvis Mazars, pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër, ka vijuar të kryesojë renditjen edhe për vitin 2025, duke realizuar 8.8% të honorarëve të faturuara. Megjithatë, krahasuar me vitin e mëparshëm kur zinte 9.21%, shoqëria ka humbur një pjesë të tregut.
- “Intrust”, pjesë e rrjetit JPA International, është ngjitur për herë të parë në vendin e dytë, duke realizuar 8.65% të totalit të honorarëve të faturuara nga shërbimet e auditimit. Kjo shoqëri i është afruar ndjeshëm vendit të parë, ndërkohë që në vitin 2024 zinte vetëm 3.97% të tregut. “Intrust” ka shënuar një rritje të shpejtë që pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit në fund të vitit 2022.
- “Kreston Albania”, pjesë e Kreston Global, ka ruajtur pozicionin e tretë për vitin 2025, me 8.16% të totalit të honorarëve të realizuara nga shërbimet e auditimit. Kjo shifër përbën një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2024 (8.22%).
- Ernst&Young, pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër, ka zbritur në vendin e katërt me 7.85%, nga vendi i dytë në vitin 2024 (8.48%) dhe vendi i parë në vitin 2023 (8.13%).
- Në vend të pestë renditet “Grant Thornton”, pjesë e rrjetit ndërkombëtar me të njëjtin emër, me 5.6% të tregut, nga 6.26% në vitin 2024. Shoqëria ka ruajtur të njëjtin pozicion, pavarësisht një rënieje të lehtë të peshës në treg krahasuar me vitin e kaluar.
- Një shoqëri me rritje të konsiderueshme është “RSM Albania”, pjesë e RSM International, e cila është ngjitur në vendin e gjashtë me 5.51%, nga pozicioni i tetë (3.66%) një vit më parë.
- “Deloitte Albania”, pjesë e Deloitte, ka zbritur në vendin e shtatë, duke realizuar 3.85% të tregut të honorarëve të auditimit në vitin 2025, nga 7.66% vitin e mëparshëm.
Shtatë shoqëritë e para, të cilat janë të gjitha pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të njohura të auditimit, kanë realizuar gati 50% të gjithë volumit të honorarëve të faturuara nga shërbimet e auditimit (48.4%), që përkthehet në rreth 8 milionë euro. Pjesa tjetër e tregut, prej 8.6 milionë eurosh, është ndarë mes 72 shoqërive të tjera auditimi dhe 153 audituesve ligjorë që ushtrojnë aktivitetin si persona fizikë.
Në renditjen e 15 shoqërive më të mëdha, sipas honorarëve të auditimit në vitin 2025, janë bërë tre hyrje të reja:
- “ILD-99 Audit” (1.59%)
- “Euro Audit, consultancy.co” (1.33%)
- “Filto Auditing” (1.33%)
Burimi: Bordi i Mbikëqyrjes Publike
