Qiratë e larta shtyjnë familjet larg Tiranës

Qiratë e papërballueshme po “përzënë” familjet e reja nga Tirana. Mesatarja arrin 721 euro në muaj.

Në fillim të muajit korrik, çmimi mesatar i apartamenteve me qira në kryeqytet arriti 721 euro në muaj. Kjo llogaritje mbështetet në të dhënat e transaksioneve të qirave të agjencisë imobilare CPM, të cilat u bënë të disponueshme për Monitor.

Me këtë nivel çmimi të qirasë, llogaritur në raport me pagën mesatare mujore bruto (sipas nivelit të publikuar nga INSTAT për tremujorin e parë 2026), një individ do të duhet të shpenzojë 77% të të ardhurave të tij mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto për kostot e strehimit.

Duke përfshirë shpenzimet e tjera, si ato për ushqim, transport, energji e të tjera, përballimi i qirasë për strehim po kthehet në një mision të pamundur për shumë familje shqiptare të shtresës së mesme.

Mospërballimi i kostos së qirasë po krijon një tendencë të re, sidomos mes familjeve të reja, të cilat po zgjedhin si alternativë banimi qytetet pranë kryeqytetit, ndërkohë që vijojnë të punojnë në Tiranë.

Monitor ka kontaktuar disa prej këtyre individëve, kryesisht anëtarë të familjeve të reja, të cilët pohuan se kanë vendosur të largohen nga Tirana për shkak të çmimeve të larta të qirave.

Kjo tendencë konfirmohet edhe nga ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme. Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania”, thotë se shumë familje të reja po zgjedhin veçanërisht Elbasanin, por edhe Durrësin si alternativë banimi.

Dhami shpjegon se arsyeja kryesore e këtij zhvendosjeje është pamundësia për të përballuar qiratë gjithnjë e më të larta në Tiranë. Ajo thekson se ky fenomen prek kryesisht familjet e shtresës së mesme, të cilat përballen jo vetëm me rritjen e qirasë, por edhe me kostot e shkollave, kopshteve, ushqimeve dhe shpenzimeve të tjera të jetesës.

“Tregu i qirave në Elbasan ofron ende apartamente me çmime dukshëm më të ulëta se në Tiranë, duke e bërë qytetin një zgjedhje tërheqëse për ata që punojnë në kryeqytet, por nuk arrijnë të përballojnë kostot e banimit. Çmimet e qirave në Elbasan mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në Tiranë, ndërsa Durrësi, për shkak të turizmit dhe kërkesës së lartë, ka çmime më të larta se Elbasani”, shprehet Dhami.

Sipas ekspertes, kostoja e banimit është faktori kryesor që po ndryshon hartën e zgjedhjeve të banimit për një pjesë të qytetarëve që punojnë në kryeqytet.

“Mendoj se po të kishte transport publik të mjaftueshëm dhe me kosto normale, do të kishte edhe më shumë individë që do të zgjidhnin të jetonin në këto qytete, sepse janë shumë afër Tiranës. Ky është një fenomen që ndodh në shumë metropole të botës. Për shkak të çmimeve të larta të qirave dhe mospërballueshmërisë së kostos së jetesës, shumë individë jashtë jetojnë në rrethinat e afërta të kryeqytetit”, veçon ndër të tjera Dhami.

Edhe pse udhëtimi i përditshëm drejt Tiranës dhe trafiku mbeten një tjetër sfidë, sipas ekspertes, shumë familje po e konsiderojnë këtë një kompromis të pranueshëm përballë kursimit që u sjell qiraja më e ulët.

Scroll to Top