Rama: Investimet në turizëm, sfidë për Shqipërinë

Protesta në Tiranë për Zvërnecin, Rama nga Berati: Kush e ka kërcënuar natyrën?

Ndërsa në Tiranë po zhvillohet një protestë lidhur me investimin në Zvërnec, kryeministri Edi Rama, duke folur nga Berati, ka ritheksuar se bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur të kategorisë 5, e cila megjithatë lejon zhvillimin. Sipas tij, askush nuk e ka kërcënuar natyrën apo biodiversitetin.

Kryeministri ka theksuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re përsa i përket kërkesës për turizëm elitar dhe se investime të tilla janë dëshira e çdo vendi.

“Ka një protestë në Tiranë, protestë për të mbrojtur natyrën, po kush e ka kërcënuar natyrën? Kush e ka vënë në rrezik biodiversitetin. Protestohet se është hequr nga zona e mbrojtur Zvërneci, po kush e ka hequr dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone. Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5, peizazh i mbrojtur, kështu është dhe sot, kështu do jetë dhe nesër. Protestohet për çfarë? Debati real nuk është a do mbrohet apo jo biodiversiteti, a do hiqet apo do rrijë ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do jetë.

Debati sot është më i thjeshtë, por edhe më i thellë se kaq. Çfarë Shqipërie do zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do kemi ne pas 10-15 vitesh dhe si do ta rrisim ne Shqipërinë ekonomikisht si do ta rrisim PBB-në, nëse ne industrinë tonë kryesore kemi turizmin. Turizmi zhvillohet pikërisht nga ato vende që kanë respekt për natyrën dhe mjedisin. Por nëse ne mendojmë që do rrisim PBB-në, pagat, pensionet, konsumin, zinxhirin e vlerës në territoret tona, pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim. Nëse ne mendojmë se do të përqendrohemi dhe të vazhdojmë me investimet e vogla copa-copa dhe me hotelet që sjellin vetëm turizmin masiv, i cili nuk është i qëndrueshëm në afat të gjatë, atëherë ne mendojmë gabim.

Kush mendon se turizmi cilësor është një turizëm që iu vlen vetëm atyre që vijnë, mendon gabim, sepse ata kur vijnë duan të ushqehen me çfarë prodhon vendi ku shkojnë. Investime si ky i Zvërnecit janë investime që do t’i donte çdo vend dhe janë investime që jo çdo vend ka dëshirë t’i shohë që ti bëjë Shqipëria. Janë investime që mobilizojnë të gjithë çfarë ka rreth e rrotull. Mobilizojnë bujqit, blegtorët, mobilizojnë sistemin e transportit. Pa nisur investimi, ka rritur 4 fish vlerën e pronës.

Ca do me thënë që ne Shqipërinë nuk ua japim Shqipërinë të huajve. Ca do me thënë që Shqipëria është e shqiptarëve, kush e ka vënë ndonjëherë në diskutim këtë. Puna është se si do ti bëjmë shqiptarët të ndihen në Shqipëri, si qytetarë që janë të barabartë në gjithçka, jo vetëm në të drejta por edhe në mundësi me të tjerët, apo si qytetarë të një vendi që ndryshe nga të tjerët ka mundësi të bëhet konkurrues në ligën më të lartë të turizmit”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama nga Berati u shpreh se falë punës së Partisë Socialiste, Berati u transformua. Rama theksoi se shpallja e Parkut Kombëtar të Vjosës ka qenë pjesë e programit të Partisë Socialiste dhe se qeveria socialiste ka zgjeruar ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në vend.

“Parku kombëtar i Vjosës ka qenë pjesë e programit të PS, nuk e kanë vënë në mbrojtje ata që duan ta mbrojnë nga ne, por ne. Shqipërinë nga shumë herë më pak seç e gjetën, zonë të mbrojtur e kemi vizatuar ne. Të flasë për zonat e mbrojtura, për natyrën në tërësi dhe t’i kthehesh PS përfshirë dhe mua duke i treguar me gisht si rrezik ky është kulmi”, tha ai.

Scroll to Top