“`html
Rama nxjerr komentin e vajzës nga Vlora: Kjo rinia që u çua nuk e di ku bie Narta dhe Zvërneci, e masakruan online korbat e fshehur nën pupla flamingosh
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale komentin e një vajze nga Vlora, e cila shprehej kundër protestave për mbrojtjen e flamingove dhe Nartës. Ai e cilësoi postimin e tij si një akt solidariteti ndaj bullizmit online që po ushtrohet ndaj saj.
Përmes këtij reagimi, kreu i qeverisë shpreh idenë se ata që nuk besojnë te kjo kauzë po masakrohen virtualisht nga “korbat e fshehur nën pupla flamingosh”.
Rama shkruan: “Këtë koment nga kjo faqe, po e postoj si shprehje solidariteti me një vajzë vlonjate që nuk e njoh, të cilën për shkak se nuk beson tek protesta e kanë masakruar online korbat e fshehur nën pupla flamingosh… RESPEKT.”
Vajza nga Vlora shprehet:
- “Të them të drejtën nuk e kuptoj thelbin e kësaj proteste. Kjo rinia që u çua për flamingot, të cilët nuk i kanë parë ndonjëherë me sy, është e njëjta rini që nuk lëviz gishtin të kërkojë ashpërsim të ligjeve për dhunën në familje, apo për të drejtat e djemve shqiptarë nëpër burgjet e botës. Rikujtoj këtu rastin e Ilia Karelit në burgun grek, kur unë dhe 30 veta u ngritëm të protestonim, por të rinjtë na shikonin nga kafja dhe qeshnin, apo të kërkojnë një bisedë për probleme të tjera. Por për flamingot reagojnë, dhe për Nartën, të cilën nuk e dinë as se ku bie në hartë, janë gati të bëjnë të ashtuquajturin “REVOLUCION”.
- “Kërkojnë dorëheqjen tuaj për ministrat apo kryetarët që janë në SPAK, por një pyetje kam: Kush kërkoi të krijohej SPAKU? Në kohë të PD dhe kur dilnin me video të filmuar, përsëri Berisha bënte namin duke i mbrojtur, rikujtoj rastin e ‘mbertheckave’.”
- “Kam filluar punën në shtet kur iku PD me 580 mijë lekë të vjetra dhe sot e kam 980 mijë lekë. Patjetër ka njerëz që janë në vështirësi ekonomike të mëdha, por pagat kanë ndryshuar, kushtet e punës kanë ndryshuar nga viti në vit. E mbanim gjeneratorin gati për dritat që na iknin, kishim frikë të dilnim në një protestë se do vinte gjithë policia e shtetit me uniformat zhul e me kanatjeren që i dilte nga barku e do rrihnin protestuesit, apo me keq akoma do bënin 21 Janarin.”
- “Droga, prostitucioni dhe vjedhjet ishin lajmi i ditës, por pa u goditur asnjëherë nga ligji. Patjetër ka dhe tani, por të paktën shohim në lajme përditë si goditen nga ligji.”
- “Në mbledhje të BE-së apo kudo nëpër botë ishim të paperfaqësuar, se as e bënte njeri për Berishën apo ministrat e tij. Për çfarë po protestohet sot??? Vërtet do ky popull t’i kthehet asaj kohe??? Dhe a është vërtet populli që e do këtë gjë, apo janë thjesht njerëz që pretendojnë se përfaqësojnë popullin?”
- “Popull jam dhe unë, por nuk mendoj si ata. Popull jam dhe unë, por nuk dua dorëheqjen tuaj. Popull jam dhe unë, por nuk shaj. Nuk shaj femrat që kanë mendim ndryshe nga unë, nuk shaj njerëzit me libër shpieje vetëm se nuk më pëlqen logjika e tyre. Dhe po, dua që Narta, të cilën e njoh përmendsh se jam vetë vlonjate, të ketë një investim super të denjë dhe të konkurojë krah për krah me Greqinë, Italinë apo çdo shtet tjetër për turizëm. Dua ta shikoj emrin e Nartës dhe të Vlorës të përmendet kudo.”
- “Si mund të besoj unë te ndryshimi kur një koment i tillë do pasohet me 1000 sharje, mallkime dhe fyerje vetëm sepse është ndryshe? Quhemi sufllaqexhinj, servila, apo më keq akoma ‘Kurva’ vetëm pse nuk mendojmë si ta? Si mund të bëhet ky bullizim online dhe kjo dhunë verbale vetëm sepse nuk ndan të njëjtin mendim? Pse duhet ta respektoj mendimin e tyre, por për mendimin tim duhet të marr sharje dhe mallkime?”
- “Kjo është Shqipëria e sigurtë? Shqipëria e sigurtë fillon me argument, fillon me propozime, fillon me bashkëbisedime për të mirën e Shqipërisë. Kur të shikoj që një nga kushtet të jetë kërkesa për ashpërsim të ligjeve për dhunën në familje, për të kërkuar drejtësi për gjithë çunat Shqiptarë që ndodhen burgjeve të botës dhe nënat e tyre nuk e dinë ku ndodhen, kur të shikoj që kërkohet një Shqipëri që mund të komentosh pa frikë se do të shahesh me libër shpieje, duke harruar që nuk jemi më në diktaturë, atëherë do të besoj në këtë protestë. Deri në momentin që të shikoj diçka të tillë, nuk kam pse protestoj.”
“`
