Para protestës së paralajmëruar, Kryeministri Rama mbron projektin në Zvërnec: Ja e vërteta
Pak orë para protestës së radhës të paralajmëruar këtë të hënë në Tiranë në orën 18:00 kundër projektit turistik në Zvërnec, Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të investimit. Ai ka kundërshtuar pretendimet për mungesë transparence dhe ka argumentuar se zhvillimi është bazuar mbi prona private dhe jo mbi tokë shtetërore.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen në një kohë kur projekti, i lidhur me interesimin e investitorëve ndërkombëtarë, ka ndezur një debat të gjerë mbi kufijtë mes zhvillimit strategjik të turizmit dhe mbrojtjes së zonave natyrore në Shqipëri. Ky debat ka sjellë përplasje të forta, madje edhe fizike, në datën 30 maj.
Sipas Ramës, interesi i investitorëve daton që në vitin 2023, periudhë kur diskutimet fillestare përfshinin njëkohësisht ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
“Qëndrimi ynë që ditën e parë ka qenë se Sazani është tokë publike dhe ne duam që shteti shqiptar të jetë palë në atë zhvillim. Ndërsa për projektin e Zvërnecit u kemi thënë investitorëve të shikojnë pronat dhe pronarët, pasi ne nuk kemi tokë shtet aty,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se negociatat për blerjen e tokave në zonë janë zhvilluar mes investitorëve dhe pronarëve privatë, ndërsa qeveria nuk ka marrë pjesë në proces.
“Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat me pronarët janë çështje mes palëve, ku ne as kemi hyrë dhe as kemi pasur interes të hyjmë,” u shpreh ai.
Projekti ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare që prej momentit kur emri i Jared Kushner u lidh me investimet e mundshme në Shqipëri. Rama argumentoi se ekspozimi global ka sjellë edhe një vëmendje të shtuar mediatike, ndërsa investitorët kanë angazhuar, sipas tij, ekspertizë ndërkombëtare në arkitekturë, inxhinieri, mjedis dhe aspektet ligjore.
“Bota e tërë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar, Jared Kushner,” tha ai.
Një pjesë e debatit publik është fokusuar te vizualizimet që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale. Rama tha se ato nuk përfaqësojnë projektin aktual dhe se një variant i mëparshëm është refuzuar nga institucionet shqiptare.
“Kam parë imazhe të projektit, pallate. Ku i keni gjetur? Ato nuk kanë lidhje me projektin. Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare dhe investitorëve u është kërkuar të rikthehen me standarde më të larta,” deklaroi ai.
Kryeministri mbrojti gjithashtu procedurat administrative të ndjekura deri tani, duke sqaruar se rrethimi i territorit është bërë mbi bazën e një lejeje zhvillimi dhe jo të një lejeje ndërtimi.
“Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit,” tha Rama.
Duke iu referuar pretendimeve për pronësinë në zonë, ai argumentoi se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes gjykatave dhe jo duke vënë në diskutim dokumentacionin ekzistues.
“Pretendimet mund të jenë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie dhe jo pretendimet,” u shpreh kryeministri.
Një nga pikat më të debatueshme mbetet fakti se projekti zhvillohet në territorin e Pishë Poro-Nartës, zonë e mbrojtur sipas legjislacionit shqiptar. Rama argumentoi se statusi i saj nuk e përjashton zhvillimin ekonomik dhe turistik. Sipas tij, zona klasifikohet nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) si “Peizazh i Mbrojtur”, kategori që parashikon bashkëjetesën mes mbrojtjes së natyrës dhe aktivitetit ekonomik.
“Thelbi i kategorisë 5 është bashkëjetesa e natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Për këtë arsye nuk konsiderohet kategori pa zhvillim,” deklaroi ai.
Deklaratat e Ramës vijnë ndërsa aktivistë, ambientalistë dhe qytetarë kanë thirrur një protestë në Tiranë kundër projektit, duke kërkuar më shumë transparencë mbi planet e zhvillimit dhe ndikimin e tyre në ekosistemin e zonës së Nartës dhe Zvërnecit.
Protesta e 30 majit
Më 30 maj, dhjetëra banorë të zonës, aktivistë mjedisorë dhe qytetarë u mblodhën në Zvërnec për të protestuar kundër projektit turistik që po zhvillohet në zonën e Pishë Poro-Nartës. Protestuesit kundërshtuan punimet dhe kërkuan më shumë transparencë mbi projektin, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në mjedis, biodiversitet dhe çështjet e pronësisë së tokës.
Gjatë protestës u regjistruan tensione në hyrje të territorit të rrethuar nga zhvilluesit e projektit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të një kompanie sigurie private. Pamjet e incidentit, të shpërndara gjerësisht në media dhe rrjete sociale, treguan momente përplasjesh fizike, duke shkaktuar reagime të forta publike dhe politike.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e një punonjësi të sigurisë private, ndërsa dy persona të tjerë u proceduan në kuadër të hetimeve për dhunën e ushtruar gjatë protestës. Paralelisht, u hapën verifikime për mënyrën e menaxhimit të situatës nga strukturat vendore të policisë.
Si pasojë e zhvillimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, si dhe nisjen e një hetimi disiplinor ndaj zinxhirit drejtues vendor. Institucionet deklaruan se vendimi u mor për shkak të pasaktësive në raportimin fillestar të ngjarjes dhe nevojës për një verifikim të plotë të veprimeve të ndërmarra nga policia.
