Protestë kundër qeverisë Rama: Tiranë dhe Diaspora kërkojnë dorëheqje

Sot shënohet dita e 11-të e protestës para Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

Publikuar më 10.06.2026 nga shekulli_admin

Për të 11-ën ditë radhazi, qytetarët shqiptarë do të dalin sërish sot në protestë në orën 18:00, kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama. Protesta filloi kundër projekteve për ndërtimet në zonën e Zvërnecit.

Nën sloganin “Shqipëria e Re”, mijëra qytetarë u bashkuan mbrëmë para Kryeministrisë me kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës. Pjesëmarrësit e shumtë shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes aktuale dhe kërkuan që kërkesat e qytetarëve të merren parasysh.

Qindra mijë shqiptarë janë ngritur në këmbë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Thirrjet “Rama në burg, Berisha në Burg”, “Shqipëri e re”, “Edi Rama dorëhiqu”, “Atdheu i Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Atdheu nuk shitet”, jehuan edhe mbrëmë në sheshin në qendër të Tiranës.

Aktivisti i Lëvizjes Qytetare, Edmond Gjata, njoftoi se kanë dorëzuar në KQZ një draft për ndryshime të kodit zgjedhor. Ai tha se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një kod që i jep mundësitë dhe përparësitë qytetarëve.

“Kemi dorëzuar në KQZ një draft për ndryshime të kodit zgjedhor. Shqipëria e re fillon nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje në 35 vite janë bërë për partitë, jo për qytetarët. Kodi i ri është kodi i qytetarëve, që shprehin interesat e tyre dhe jo të Edi Ramës,” tha ai.

Ashtu si për çdo ditë, edhe sot protesta do të nisë në orën 18:00, ndërsa dje iu bë thirrje Diasporës që të marrë pjesë në tubim. Qëndrimi i protestuesve është i qartë; qeveri teknike e përfaqësuar nga intelektualë të vendit.

Tubime janë organizuar edhe në shtete të tjera ku jetojnë shqiptarët, të cilët i janë bashkuar kësaj proteste që mori zë në Tiranë. Duhet ritheksuar se protesta e organizuar në Tiranë, jehoi edhe jashtë kufijve.

Me thirrjet “Revolucion”, “Shqipëri e Re”, “Edi Rama në burg, Berisha në burg”, qytetarët kërkojnë largimin e kësaj qeverie dhe theksojnë se nuk do të dorëzohen deri në dorëheqjen e Ramës.

Scroll to Top