Rama: Pse 83 mandatet që morëm janë mallkimi dhe bekimi ynë
Publikuar më 24.07.2026 nga shekulli_admin
TIRANË – Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS dhe kabinetit, u shpreh se ka reflektuar në lidhje me protestën që zhvillohet prej më shumë se 50 ditësh para zyrës së tij.
Kryeministri shtoi se fitorja e 83 mandateve ishte nga njëra anë bekim, sepse i dha forcën për të vazhduar transformimin, por nga ana tjetër mallkim, sepse qytetarët të cilët janë ngritur në protestë, shohin te PS shkakun e çdo gjëje që nuk shkon në vend.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime me ju, ajo fitore, sa është bekim, është edhe mallkim. Bekim, sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin; mallkim, sepse jo vetëm se ata shohin shkakun e çdo gjëje që nuk shkon te ne, por edhe sepse fitoret e mëdha, si ajo e qershorit të shkuar, e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërive të qytetarit. Sot i bëjmë krahasimet me Europën e zhvilluar”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama pranoi dhe dështimin e një pjese të administratës për t’iu shërbyer qytetarëve.
“Në atë pasqyrën e bulevardit të flamengove ishin plot si ai, kur pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit, arroganca e zyrtarëve pa gjak që iu flasin sikur të kenë karrigen në vend të fytyrës, ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Nuk po flas fare edhe për ata që u kërkojnë edhe lekë.”, tha mes të tjerash Rama.
