“`html
Rama: Protesta e bulevardit, rruga për në ferr shtrohet me qëllime të mira
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën qytetare, duke theksuar se qëllimet e mira nuk mjaftojnë nëse nuk mbështeten te faktet, arsyeja dhe dialogu.
Duke iu referuar shprehjes proverbiale “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”, ai argumenton se kauzat, sado fisnike të jenë, mund të marrin drejtim të gabuar kur shkëputen nga realiteti dhe refuzojnë debatin mbi bazën e fakteve.
Rama shpreh mirëkuptim për qytetarët e mobilizuar nga shqetësimi për mbrojtjen e natyrës, të cilët i simbolizon me “flamingot rozë”. Ai respekton shqetësimet e tyre, duke i konsideruar të sinqerta, por i kritikon për mospasjen e gatishmërisë për të dëgjuar argumentet, ekspertët dhe institucionet për diskutimin e zgjidhjeve.
Nga ana tjetër, Kryeministri përdor metaforat “sorra” dhe “korba” për të përshkruar aktorët politikë ose grupet që, sipas tij, ushqehen me zhurmë, shpifje, teori konspirative dhe refuzim të fakteve. Ai shtoi se këta aktorë po përpiqen të përdorin protestuesit për qëllime politike.
Rama nënvizon rëndësinë e përputhjes së qëllimeve të mira me realitetin, duke theksuar se historia tregon se shumë nisma, të nisura me slogane fisnike dhe emocione të sinqerta, kanë përfunduar në intolerancë apo shkatërrim për shkak të ndërprerjes së lidhjes mes perceptimit dhe realitetit, imagjinatës dhe fakteve, shqetësimit dhe arsyes.
Ai thekson se kur qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, pasioni për ndryshim nuk drejtohet nga arsyeja dhe bindjet e forta nuk shoqërohen me dëshirën për të dëgjuar, atëherë distanca mes mbrojtjes së një parimi dhe shndërrimit të tij në dogmë bëhet shumë e shkurtër.
“Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik,” tha Rama. “Madje kjo formë estetike e demonstrimit, me siluetat e flamingove rozë, më gëzon me hijeshinë që përndryshe do t’i mungonte një proteste qytetare për natyrën të kthyer ngutshëm në një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe.”
Megjithatë, ai vijon duke thënë: “Por pikërisht kjo fotografi e bukur, më rikthen tek fjala e urtë e fillimit dhe ‘rruga e ferrit’. Sepse problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur.”
Rama përfundon duke shtuar: “Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar. Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi. Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?! Flamingot nuk e humbasin bukurinë e tyre nëse angazhohen në diskutimin e dobishëm për të ardhmen e zonës dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë. Ndërsa sorrat dhe korbat mbeten thjesht e vetëm ata që janë, qysh prej 28 nëntorit të 1912-ës kur morën rolin e hijes që përndjek Shqipërinë, por pa shans që të shtrojnë një rrugë ferri me qëllimet e mira të flamingove…”
“`
