Gjendet trupi i pajetë i Eglant Koçit, dyshohet se u vra dhe u zhduk nga shoku i tij.
Është gjetur trupi i pajetë i Eglant Koçit, i cili rezultonte i zhdukur prej rreth dy javësh. Sipas informacioneve paraprake, trupi i tij është zbuluar në një zonë rurale mes Tiranës dhe Elbasanit.
Në vendngjarje ndodhen forca të policisë dhe polumbarët e RENEA-s, të cilët po punojnë për nxjerrjen e trupit. Eglant Koçi ishte raportuar i zhdukur dy javë më parë dhe kërkimet për gjetjen e tij kishin vijuar në disa zona.
Në kamerat e sigurisë nga ambienti ku Koçi dyshohet se u mbajt peng dhe u vra nga shoku i tij, Armand Shakaj, ky i fundit shfaqet teksa me një çantë dhe qese të zeza tërheq diçka, ku dyshohet se ndodhej trupi i pajetë i Koçit. Çantën dhe qesen Shakaj i vendosi në makinën e tij, ndërsa dyshohet se në makinën tip ‘Porsche’ ai e ka mbajtur trupin për më shumë se 24 orë.
Më pas, Shakaj kishte marrë një karrotrec dhe mjetin e transportoi me të deri në Ibë, me argumentin se kishte defekt makinë. Prej andej është larguar me mjetin e tij, ku dhe dyshohet të ketë zhdukur trupin e Eglant Koçit.
Makina e Shakajt u gjet dhe u sekuestrua pas ngjarjes, pasi kamarieri i tij e kishte çuar në një lavazh për ta larë. Brenda makinës u gjetën njolla gjaku dhe vegla pune, si lopata me baltë.
Dyshohet se trupi i pajetë i të riut është hedhur në një humnerë në fshatin Cerujë, ndërsa ka qenë një dron i policisë që e ka lokalizuar.
