Rama: Shqipëria ka ndryshuar, pritshmëritë janë më të larta

Rama dorëzon dy dokumente si reflektim për protestën: Njerëzit tani thonë “ka më mirë”, jo si dikur që “kishte më keq”

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka nisur fjalën në mbledhjen e zgjeruar të socialistëve, mes qeverisë dhe deputetëve, ku ka shpalosur reflektimin e tij në lidhje me “revolucionin e Flamingove”. Rama tha se në sajë të punës së socialistëve, në tre mandatet e para qeverisëse, qytetarët tashmë kanë gjithnjë e më shumë pritshmëri ndaj tyre.

Rama dorëzoi dy dokumente që, sipas tij, flasin për kthesën e madhe të socialistëve në këtë mandat të katërt.

RAMA: Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe dëgjuam gjatë muajit Qershor, kur bulevardi u mbush nga njerëz nga të gjitha shtresat e jetës, kategoritë shoqërore dhe moshat, dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë, u bë simbol i vëmendjes më të madhe që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë.

Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim para pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar, që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.

Po e nis me një episod që mund ta keni dëgjuar: Qëlloi në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok i yni, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem diku në periferi. “I kam gjetur në llum,” tha ai, “nuk kishin rrugë, trotuare, e gropa. I bëra me rrugë, me drita, me pemë, u bëra kopsht, u vura edhe stola. Janë mosmirënjohës.” Ai shok dhe koleg jemi të gjithë ne. Sepse secili prej nesh e ka menduar, qoftë edhe njëherë, atë fjalë të keqe, kur i ka ardhur shpirti në majë të hundës me marrëdhënie me punën. Ka menduar që janë mosmirënjohës. Kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet. Në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria.

Atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje e me zë, kudo, jo vetëm më 6 qershor, por qysh pas zgjedhjeve: Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matës i ri i standardeve tona.

Ata që votuan për ne në qershor, dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje, sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese për ta sesa figura ime. Ata të administratës dolën edhe ata me të tjerët, sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna e shtetit pse shkonin në një takim tonin në opozitë.

Bulevardi i Flamingove duhet të jetë një pasqyrë, ku ne të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën për të qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re. Unë vetë, në pasqyrën e Flamingove, pashë mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke të re, ku një rrugë, një shkollë e re, ishte një fitore e madhe. Çdo shërbim i mirë tani merret i mirëqenë, dhe çdo mungesë shërbimi nuk pranohet dot. Shoqëria as e çon në mend, se çfarë mund të jetë dhe më keq, sepse deviza e kësaj epoke është “ka edhe më mirë”.

Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht atëherë kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e majtë dhe të djathtë reformën në drejtësi, prapë se prapë pyetjes së nëse besonin se do shihnin zyrtarë të lartë para drejtësisë, i përgjigjeshin masivisht “Jo”. Monumenti i pandëshkueshmërisë ra, ashtu siç nuk mund të imagjinohej, por ky fakt nuk mjafton, madje del e tepron se ata janë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë. Për 30 vjet shqiptarët qëndruan në radhë kilometrike për të marrë shërbimet më elementare.

Scroll to Top