“`html
Reforma territoriale: Dy diagnoza dhe dy modele për organizimin e shtetit
Nga Gent Kaprata*
Krahasimi ndërmjet propozimit të Partisë Socialiste për 46 bashki dhe propozimit të Partisë Demokratike për 100 bashki nuk duhet reduktuar vetëm në ndryshimin numerik mes dy hartave. Numri është vetëm shprehja përfundimtare e dy diagnozave të ndryshme për reformën e vitit 2014 dhe e dy koncepteve të ndryshme për marrëdhënien mes shtetit, territorit, pushtetit vendor dhe qytetarit. Reforma territoriale nuk përcakton vetëm kufijtë e bashkive; ajo përcakton si shpërndahet pushteti në territor, në çfarë shkalle ushtrohen funksionet, si financohen shërbimet, si përfaqësohen komunitetet dhe çfarë modeli zhvillimi ndërtohet për vendin.
Dallimi i parë dhe më i rëndësishëm lidhet me vlerësimin e reformës së vitit 2014. PS e konsideron atë një reformë të suksesshme, e cila duhet përmirësuar për t’iu përshtatur ndryshimeve demografike, shpopullimit dhe transformimit të strukturës së qendrave të banuara. Propozimi për 46 bashki është, në këtë kuptim, vazhdim i logjikës së vitit 2014: më pak njësi, territore më të mëdha dhe përqendrim më i lartë i kapaciteteve administrative.
PD, përkundrazi, e konsideron reformën e vitit 2014 një dështim të plotë në objektivat e saj themelorë. Ajo realizoi një konsolidim radikal të hartës, por nuk prodhoi transformim funksional, fiskal, institucional, demokratik dhe zhvillimor. Bashkitë u bënë më të mëdha, por jo domosdoshmërisht më funksionale; numri i punonjësve dhe kostot administrative u rritën, ndërsa niveli, cilësia dhe shtrirja territoriale e shërbimeve nuk u përmirësuan. Në të njëjtën kohë, shkrirja e komunave dhe bashkive të vogla dobësoi përfaqësimin, largoi vendimmarrjen dhe krijoi një krizë të demokracisë vendore.
Dallimi i dytë lidhet me mënyrën e konceptimit të kapacitetit vendor. PS kërkon ta zgjidhë dobësinë e disa bashkive përmes zmadhimit të mëtejshëm territorial. Premisa mbetet se njësia më e madhe krijon më shumë kapacitete dhe ekonomi shkalle. Por përvoja e reformës së vitit 2014 tregoi se madhësia nuk prodhon vetvetiu eficiencë. Një bashki më e madhe mund të ketë edhe administrim më të kushtueshëm, territor më heterogjen dhe periferitë e saj më pak të shërbyera.
Raporti i PD-së nuk propozon thjesht shtimin e numrit të bashkive. Harta me 100 bashki shoqërohet me ndarje të funksioneve dhe kompetencave, përcaktim të burimeve financiare, organizim institucional, mekanizma bashkëpunimi ndërbashkiak dhe koordinim rajonal. Funksionet që kërkojnë afërsi ushtrohen pranë komunitetit; ato që kërkojnë shkallë më të gjerë organizohen përmes bashkëpunimit ose në nivel rajonal. Kështu shmangen dy skajet: bashkitë e vogla pa kapacitete dhe bashkitë gjigante që e largojnë pushtetin nga qytetari.
Dallimi i tretë është demokratik. Për PS-në, përfaqësimi territorial duket se mbetet në varësi të eficiencës administrative. Për PD-në, përfaqësimi, subsidiariteti dhe afërsia me qytetarin janë vetë përmbajtja e vetëqeverisjes vendore. Bashkia nuk është një ndërmarrje komunal banesash të kohës së socializmit dhe as një zgjatim i administratës së qeverisjes qendrore, por bashkësi politike me organe të zgjedhura, kompetenca, burime dhe përgjegjësi publike.
Dallimi i katërt lidhet me modelin e zhvillimit. Propozimi i PS-së riorganizon kryesisht administrimin e territorit. Qasja e PD-së e lidh reformën me forcimin e qyteteve dytësore, bashkitë funksionale, ekonomitë vendore, koordinimin ndërurban dhe zhvillimin policentrik. Shqipëria karakterizohet nga pluralitet qytetesh, por jo nga policentrizëm funksional: Tirana dhe korridori Tiranë–Durrës përqendrojnë popullsinë, kapitalin, shërbimet dhe vendimmarrjen, ndërsa pjesa tjetër e territorit dobësohet. Reforma duhet ta korrigjojë këtë model, jo ta thellojë atë. Kjo kërkon koherencë ndërmjet territorit, funksioneve, financave, institucioneve, demokracisë dhe zhvillimit.
Për Shqipërinë, propozimi i PD-së është alternativa më e mirë, jo thjesht sepse parashikon 100 në vend të 46 bashkive, por sepse mbështetet mbi diagnozën më të saktë dhe mbi modelin më të plotë. PS propozon ta korrigjojë reformën e vitit 2014 duke thelluar të njëjtën logjikë konsoliduese. PD propozon ta zëvendësojë atë me një reformë të qeverisjes territoriale: më afër qytetarit, më demokratike, funksionalisht të diferencuar, financiarisht të mbështetur dhe të orientuar drejt një Shqipërie policentrike.
*Urbanist, Doktor në Shkencat Sociale të Aplikuara
“`
