Dërgesat e emigrantëve arrijnë një rekord të ri historik prej 621 milionë eurosh në janar – qershor
Remitancat po vijojnë të rriten, të nxitura edhe nga vala e re e emigracionit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, emigrantët dërguan në Shqipëri 621 milionë euro, 16.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, shënon një rekord të ri historik.
Rritja më e lartë u shënua në tremujorin e dytë, me prurjet që arritën në 347 milionë euro, duke shënuar një zgjerim prej 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje e dërgesave nga emigrantët po ecën paralelisht me shtimin e numrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Që prej vitit 2013, remitancat kanë ndjekur një prirje pothuajse të pandërprerë rritëse, duke u lidhur ngushtë me ciklin e ri të emigracionit, i cili u forcua veçanërisht pas vitit 2015. Përjashtim bëri viti 2020, kur pandemia solli një rënie të përkohshme të flukseve. Pas kësaj periudhe, dërgesat u rikthyen në rritje dhe ritmet u përshpejtuan.
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se emigracioni vijon të mbetet një faktor i rëndësishëm demografik për vendin. Migracioni neto ka qenë negativ gjatë gjithë periudhës 2011-2025, që do të thotë se numri i personave që largohen nga Shqipëria ka qenë më i lartë se ai i atyre që vijnë për të jetuar në vend, me mesatarisht 30-40 mijë të larguar neto në vit. Pas pandemisë, kjo prirje është forcuar sërish, me mbi 166 mijë shqiptarë që janë larguar nga vendi në periudhën pas pandemisë, nga viti 2021 deri në 2026. Të gjithë këta të larguar përbëjnë një potencial për dërgimin e parave tek të afërmit që lënë në Shqipëri.
Sipas aktorëve të tregut, pjesa më e madhe e remitancave vijon të vijë nga destinacionet tradicionale të emigracionit shqiptar, si Greqia dhe Italia. Megjithatë, vitet e fundit është rritur pesha e vendeve të reja të emigracionit, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Banka e Shqipërisë i regjistron remitancat në llogarinë korrente të bilancit të pagesave, sipas standardeve të FMN-së (BPM6). Në këtë zë përfshihen transfertat që emigrantët u dërgojnë familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes bankave, institucioneve financiare dhe operatorëve të transfertave, ashtu edhe përmes vlerësimeve për flukset informale. Për llogaritjen e tyre, Banka e Shqipërisë mbështetet në të dhënat e sistemit bankar, raportimet e subjekteve të licencuara dhe anketa të posaçme me familjet përfituese, me qëllim që të pasqyrojë sa më plotësisht flukset reale të remitancave në ekonomi.
