Tregu celular Shqipëri: përdorues, internet dhe rënie thirrjesh

Numri i përdoruesve celularë ka ngecur në stanjacion në tremujorin e parë të vitit, pas një tendence disavjeçare në rënie.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në fund të tremujorit të parë të vitit, numri i përdoruesve aktivë (i matur si numër i kartave SIM aktive) të shërbimeve celulare arriti në 2.44 milionë. Ky numër shënoi një rënie prej 1.4% krahasuar me fundin e vitit 2025, por një rritje modeste prej 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tendencë të ngjashme shfaqi edhe numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Numri i përdoruesve të internetit arriti në 2.05 milionë, me një rënie prej 1.4% nga fillimi i vitit, por në rritje me 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek interneti dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.

  • Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i të dhënave (internetit) u rrit me 20.7% krahasuar me një vit më parë.
  • Përdorimi mesatar mujor i të dhënave për përdorues u rrit me 22.5%.
  • Të totali i thirrjeve telefonike dalëse ra me 5.9%.
  • Numri i mesazheve të shkruara u tkurr me 11.6%.

Një përdorues celular konsumoi mesatarisht 126 minuta në muaj thirrje dalëse, një shifër 6.2% më e ulët krahasuar me një vit më parë. Këto shifra konfirmojnë thellimin e tendencës që komunikimi të zhvendoset gjithnjë e më shumë te aplikacionet OTT (Over-The-Top), të bazuara te interneti.

Tregu i shërbimeve celulare prej vitesh po përvijon tendenca të qarta, që tregojnë një numër në rënie të përdoruesve. Në dekadën e fundit, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me më shumë se 28%.

Kjo rënie mund të shpjegohet pjesërisht me faktorët demografikë dhe uljen e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Në mënyrë kalimtare, kjo rënie është kompensuar pjesërisht nga rritja e numrit të turistëve të huaj, të cilët në disa raste përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit. Kjo tendencë është më e theksuar gjatë tremujorit të tretë të vitit, kur edhe numri i turistëve është më i lartë.

Nga ana tjetër, ulja e numrit të përdoruesve aktivë është ndikuar pjesërisht edhe nga zhvillimet e brendshme të tregut. Numri i operatorëve celularë është ulur në dy, nga katër që kishte qenë deri në vitin 2017. Gjithashtu, është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë kishte qenë mjaft tipike afërsisht deri në vitin 2014, kur AKEP ndaloi diferencimin e çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme të përdorin numra shqiptarë për komunikimin e tyre gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri.

Scroll to Top