Paratë e rindërtimit kanë mbaruar, por mijëra banorë ende presin çelësat e shtëpisë
Gjashtë vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit po i afrohet përfundimit financiar, por jo edhe atij fizik në terren. Qeveria ka shpenzuar 131 miliardë lekë dhe raporton se 90% e projekteve janë ndërtuar. Megjithatë, vonesat dhe mungesa e transparencës vazhdojnë të lënë mijëra familje pa banesa të sigurta.
Financimi për rindërtimin, i cili nisi me një ritëm të përshpejtuar pas tërmetit të vitit 2019, po i afrohet mbylljes. Pas gjashtë vitesh dhe me një faturë që kalon 131 miliardë lekë, qeveria synon të ndalë financimin në fund të vitit 2026. Buxheti i shtetit nuk parashikon më fonde shtesë për rindërtimin pas vitit të ardhshëm.
Pas një sërë afatesh të humbura dhe vonesash të pafundme, qeveria ka planifikuar që fundi i vitit 2026 të shënojë “mbylljen” zyrtare të programit të rindërtimit. Sipas Ministrisë së Financave, programi do të mbyllet me 5 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e vitit 2026.
“Kur sot thuhet se 2026-a do të jetë viti i fundit, kuptohet më shumë si një mbyllje formale sesa si një fund i natyrshëm i punëve. Sepse edhe tani mbeten zona ku punimet nuk kanë përfunduar, projekte që varen nga leje të tjera, apo shtëpi individuale në fshatra që përfundojnë gjithmonë të fundit në listë,” shprehet për Faktoje.al Eduard Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Sipas tij, shifrat tregojnë historinë e një procesi që nuk u përshpejtua, por u lodh. “Një histori ku koha u kthye në barrën kryesore, dhe ku mbyllja nuk vjen si sukses, por si fund i natyrshëm i një administrimi të dobët, që u tërhoq zvarrë deri sa nuk mbeti më shumë për të zvarritur,” përfundon Gjokutaj.
Tre vitet e para ishin “epoka e artë” e fondeve. Në vitet 2020 dhe 2021, qeveria financoi përkatësisht 32 dhe 35 miliardë lekë për rindërtimin. Në vitin 2022, financimi ra në 28.8 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2023 u përgjysmua në 16.2 miliardë. Rënia ka vazhduar me të njëjtin ritëm: vetëm 9 miliardë lekë në vitin 2024 dhe 5 miliardë për vitin 2025 dhe 2026.
90% e projekteve të përfunduara
Ndërsa buxheti po i vë kapakun programit të rindërtimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pretendon se procesi ka avancuar “me ritme të kënaqshme”. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni pranon se rindërtimi ka qenë një proces “dinamik dhe i paparashikueshëm”, i shoqëruar me vonesa, por këmbëngul se objektivi i mbylljes brenda vitit 2026 mbetet në fuqi.
Ministria i justifikon ritmet me përmasat e mëdha të dëmeve dhe shtrirjen e tyre në 11 bashki, duke theksuar se strukturat përgjegjëse “janë maksimalisht të angazhuara” për të përfunduar gjithçka brenda afatit. Megjithatë, gjashtë vjet pas tragjedisë, nuk jep një numër konkret për familjet që ende nuk kanë hyrë në një shtëpi të përfunduar. Në vend të kësaj, ministria thekson se: “Trajtimi i këtyre rasteve përbën edhe fazën përfundimtare dhe përmbyllëse të procesit”.
Nga ana tjetër, sipas ministrisë së infrastrukturës, projekti është drejt fundit edhe në aspektin fizik, jo vetëm atë financiar. “Aktualisht, mbi 90% e projekteve në kuadër të procesit të rindërtimit kanë përfunduar”, thotë MIE.
2026-a nuk është e sigurt
Sipas Agron Haxhimalit, drejtues i Institutit të Bashkive, progresi i rindërtimit është i dukshëm, por larg një historie suksesi. “Ritmi ka qenë shpesh i ngadaltë midis bashkive,” thotë ai, duke theksuar se zvarritjet në projektet e banesave individuale dhe lagjeve të reja, vonesat në prokurime, leje ndërtimi e kolaudime, si dhe mospërputhja mes fondeve dhe punimeve “kanë krijuar bllokime reale në terren”. Për këtë arsye, siç shton Haxhimali, rindërtimi “nuk ka qenë linear” dhe ka ecur me ritme të ndryshme sipas zonave.
Sa i përket afatit zyrtar të mbylljes në fund të vitit 2026, Haxhimali e quan atë “ambicioz, por jo të pamundur”. Megjithatë, ai paralajmëron se projektet e hapura, nga banesat individuale, tek infrastruktura e lagjeve dhe objektet publike, si dhe mungesa e fondeve, e vënë objektivin në rrezik. “Bashkitë duhet të përshpejtojnë procedurat administrative për të shmangur shtyrje të mëtejshme,” nënvizon ai.
Edhe fondi prej 5 miliardë lekësh që mbyll ciklin financiar nuk shihet si zgjidhje automatike për projektet e mbetura. “Mjaftueshmëria e tij varet nga numri i kontratave të hapura dhe rritja e kostove të ndërtimit,” thotë Haxhimali, duke kujtuar se çmimet në sektor vazhdojnë të rriten. Ai kërkon më shumë transparencë, përfshirë publikimin e kontratave, raporte tremujore dhe të dhëna të detajuara për bashkitë përfituese.
“Rindërtimi ka sjellë rezultate konkrete, por procesi nuk është mbyllur ende pas gjashtë vitesh. Afati 2026 mbetet i pasigurt dhe sfida kryesore është transparenca, efikasiteti dhe shpërndarja e drejtë e fondeve,” përfundon ai.
Përfundim
Pak orë pasi mijëra familje shqiptare u gjendën në udhëkryq për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua se të gjithë të pastrehët do të futeshin në banesat e reja brenda një viti. “Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit,” premtoi Rama asokohe.
Afati u tejkalua dhe qeveria fajësoi pandeminë COVID-19 për vonesat. Në vitin 2021, Rama ndryshoi tonin, duke justifikuar ritmet: “Kanë kaluar vetëm 15 muaj. Më thoni ku është një ndërtues që e ngre një pallat për 15 muaj. Në rastin më të mirë zgjat 2 vite,” tha ai në atë kohë.
Pas gjashtë vitesh, procesi shpallet i përfunduar financiarisht në letra. Por në terren, rindërtimi ende nuk ka përfunduar dhe mijëra banorë presin çelësat e shtëpisë, nisur nga verifikimet që Faktoje ka ndjekur vit pas viti. Bazuar në të dhënat zyrtare dhe analizën e ecurisë së projekteve, premisa se “brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë” mbetet e papërmbushur.
