Bilanci tragjik në Kinë: 41 viktima nga rrëshqitja masive e dheut në Chongqing
Numri i viktimave nga rrëshqitja masive e dheut, e cila goditi qytetin Chongqing në jugperëndim të Kinës më 17 korrik, ka shkuar në 41. Ky bilanc u konfirmua nga mediat shtetërore kineze, pas analizave të ADN-së mbi mbetjet njerëzore të gjetura gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Fillimisht, autoritetet raportuan 11 viktima dhe rreth 50 persona të zhdukur. Përditësimi më i fundit nuk ka dhënë një shifër të re për personat e zhdukur.
Ekipet e shpëtimit kanë vijuar punën në terren, duke zbuluar një autobus të vogël të mbuluar nga dheu dhe mbetje njerëzore mes rrënojave.
Tragjedia ndodhi mëngjesin e 17 korrikut, kur një punëtor vuri re rënien e shkëmbinjve dhe njoftoi menjëherë autoritetet. Ndërkohë që banorët po evakuoheshin, ndodhi rrëshqitja e madhe e dheut, e cila shkatërroi të paktën 10 ndërtesa dhe shumë automjete.
Mbi 1,100 banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të rrezikut nga rrëshqitje të tjera të mundshme. Ekipet e emergjencës po vijojnë monitorimin e zonës dhe kërkimet për të tjerë të prekur nga kjo ngjarje tragjike.
