Rrezik Anulimesh Fluturime: Mungesë Karburanti në Gjermani

Lufta në Iran, transporti i naftës i penguar: Miliona fluturime në Gjermani në rrezik anulimi për shkak të mungesës së karburantit për avionë

Shoqata e Aeroporteve Gjermane (ADV) ka paralajmëruar për mundësinë e anulimeve të ardhshme të fluturimeve dhe rritje të çmimeve të biletave, si pasojë e mungesës së karburantit për avionë.

“Ne kemi frikë se do të ketë më shumë anulime fluturimesh, veçanërisht nga linjat ajrore me kosto të ulët dhe drejt destinacioneve me më pak rëndësi turistike,” ka deklaruar drejtori ekzekutiv i ADV-së, Ralph Beisel, për botimin e nesërm të gazetës gjermane “Welt”.

Sipas tij, në rastin më të favorshëm për vitin 2026, numri i pasagjerëve do të qëndrojë në nivelet aktuale. “Në skenarin më të keq, disa aeroporte mund të përballen me një ulje prej 10% të kapacitetit. E llogaritur në të gjitha aeroportet, kjo do të ndikojë rreth 20 milionë pasagjerë,” ka shtuar Beisel.

Konflikti në Iran po pengon transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, duke shkaktuar një rritje të çmimeve të karburantit për avionë dhe duke detyruar disa kompani ajrore të anulojnë fluturime.

“Çmimet e kerosenit kanë qenë dyfish më të larta se para konfliktit për më shumë se dy muaj. Nuk presim që situata të normalizohet në muajt e ardhshëm,” ka përfunduar Beisel.

Scroll to Top