Ish-kryeprokurori Zarka lirohet pas shlyerjes së dënimit

Shleu dënimin për dosjen ‘Toyota Yaris’, del nga qelia ish-kryeprokurori i Vlorës

Apeli i GJKKO-së ka vendosur lirimin nga qelia të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, pasi ai ka shlyer dënimin e dhënë për dosjen e njohur “Toyota Yaris”. Vendimi u mor nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe të prokurorisë për lirimin e Zarkës.

Ish-prokurori mbahej në burg që prej qershorit 2024. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e kishte dënuar atë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u ul në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Megjithatë, çështja ndaj Zarkës ende nuk ka marrë formë të prerë. Më herët, Apeli i GJKKO-së kishte rrëzuar vendimin e shkallës së parë, duke argumentuar se ai dhe të pandehurit e tjerë duhej të hetoheshin për “grup të strukturuar kriminal” dhe jo për bashkëpunim të thjeshtë.

Pas këtij vendimi, Zarka iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, ndërsa kjo e fundit vendosi ta kthejë çështjen për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese.

Scroll to Top