Rrezik ekologjik nga Kupola e Runitit

“Kupola e Runitit” në Ishujt Marshall po përballet me kërcënime serioze pas 50 vitesh, paralajmërojnë shkencëtarët

Pothuajse pesë dekada pas ndërtimit të saj, “Kupola e Runitit” në Ishujt Marshall po shfaq shenja përkeqësimi, duke ngritur shqetësime të reja për një krizë të mundshme mjedisore në Oqeanin Paqësor.

E njohur si një nga trashëgimitë më të errëta të Luftës së Ftohtë, kjo strukturë gjigante prej betoni u ndërtua në fund të viteve 1970 nga Shtetet e Bashkuara për të izoluar rreth 80 mijë metra kub mbetje radioaktive të krijuara nga testet bërthamore në Atollin Enewetak.

Problemi kryesor qëndron në faktin se kupola nuk u ndërtua si një zgjidhje afatgjatë. Gjatë ndërtimit, fundi i kraterit nuk u vulos, pasi inxhinierët besuan se shtresa koralore poshtë tij do të shërbente si barrierë natyrore. Megjithatë, korali është poroz dhe lejon depërtimin e ujit.

Trashëgimia e testeve bërthamore

Ishujt Marshall u përdorën nga SHBA gjatë viteve 1940 dhe 1950 si një zonë kryesore për testimet bërthamore. Në këtë rajon u kryen gjithsej 67 shpërthime bërthamore, ndërsa 43 prej tyre ndodhën në Atollin Enewetak. Mes testeve më të njohura ishte ai i quajtur “Castle Bravo”, një shpërthim termobërthamor me fuqi rreth një mijë herë më të madhe se bomba atomike e përdorur në Hiroshima. Këto prova shkaktuan ndotje të tokës dhe oqeanit me materiale radioaktive dhe detyruan shumë banorë vendas të largoheshin nga zonat e tyre të banimit.

Një strukturë nën presion nga koha dhe klima

Kupola e Runitit mbulon një sasi të madhe materialesh të kontaminuara, përfshirë tokë, hi radioaktiv, mbetje ushtarake dhe materiale ndërtimi. Brenda saj ndodhen rreth 120 mijë tonë mbetje, mes tyre edhe plutonium-239, një element radioaktiv me jetëgjatësi mijëra vjeçare.

Shkencëtarët paralajmërojnë se rritja e nivelit të detit, erozioni dhe çarjet në strukturë mund të rrisin rrezikun e përhapjes së ndotjes radioaktive. Oqeanografi Ken Buesseler nga Instituti Oqeanografik Woods Hole e ka përshkruar kupolën si një zgjidhje të përkohshme që nuk ishte projektuar për të zgjatur për periudha kaq të gjata.

Përplasja për përgjegjësinë

Situata ka nxitur debate mes Ishujve Marshall dhe Shteteve të Bashkuara. Autoritetet e Ishujve Marshall kanë kërkuar prej vitesh masa më të forta për mbrojtjen e zonës ose largimin e mbetjeve radioaktive nga atoli. Sipas tyre, përkeqësimi i gjendjes së kupolës mund të sjellë pasoja serioze për mjedisin, jetën detare dhe komunitetet që jetojnë në rajonin e Paqësorit.

Scroll to Top