Ekonomia e ndikimit: Si të rinjtë shqiptarë duan të pasurohen brenda natës
Në epokën digjitale, mënyra se si e perceptojmë pasurinë nuk lidhet më vetëm me fakte konkrete si të ardhurat, investimet apo pronat. Sot, rrjetet sociale kanë krijuar një ekonomi të re dukjeje, ku vlera e individit matet shpesh nga imazhi që promovon në Instagram, TikTok apo YouTube. Ky fenomen, i njohur ndryshe si “influencer economy”, ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si brezi i ri e sheh suksesin ekonomik dhe mirëqenien personale.
Ka një sërë këndvështrimesh mbi mënyrën se si rrjetet sociale ndikojnë shoqërinë tonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht. Ndikimet kanë prekur edhe zakonet tona në shpenzime, kursime dhe investime. Rrjetet sociale shpesh tregojnë një version të kuruar dhe të ekzagjeruar të realitetit. Njerëzit rrallë postojnë mbi probleme personale, ndërsa shpesh shfaqin pushime luksoze, evente të shtrenjta dhe momente të tjera të jetës së tyre që paraqesin një pamje të suksesshme.
Kjo krijon një ndjenjë të shtrembëruar të asaj që është “normale” dhe mund të çojë në një presion të pavetëdijshëm për të mbajtur hapin. Për shembull, ndjekja e influencuesve që udhëtojnë nëpër botë apo kalojnë kohë në shtëpi të bukura në bregdet, mund të ndikojë në mënyrën se si ndihemi për jetën tonë dhe mund të na bëjë të mendojmë se disa gjëra janë më të zakonshme dhe më të nevojshme se sa janë në të vërtetë.
Sociologia Marsida Simo thekson se rrjetet sociale theksojnë momentet më të bukura të jetës së dikujt, duke krijuar një realitet të përsosur ku njerëzit tregojnë vetëm arritjet dhe shpenzimet më mbresëlënëse. Ky efekt, sipas saj, prek thellë psikologjinë njerëzore dhe ndikimi i rrjeteve sociale në mënyrën se si i shohim paratë, shpenzimet dhe investimet është i pamohueshëm.
“E gjitha kjo krijon një ndjenjë krahasimi të vrazhdë duke e çuar individin në pakënaqësi, pamjaftueshmëri dhe çoroditje. Paraja dhe pasuria, përtej funksionit praktik, transformohen në një standard social. Ajo që shohim te të tjerët në botën virtuale, duket gjithmonë më e madhe, më e bukur dhe më e arritshme se ajo që kemi ne,” shprehet znj. Simo.
Ajo nënvizon se ky efekt është veçanërisht më i fuqishëm te të rinjtë, të cilët janë në fazën e formimit të identitetit. Krahasimi social mund të ndikojë jo vetëm te vetëvlerësimi, por edhe te vendimet financiare, duke rritur shanset për shpenzime impulsive në përpjekje për të përputhur imazhin e personave të famshëm që ndjekin.
Sociologia bën thirrje për edukim financiar të hershëm si domosdoshmëri. Kjo ndihmon të rinjtë të kuptojnë diferencën mes dëshirave dhe nevojave, të menaxhojnë buxhetin dhe të planifikojnë investime të mençura. “Njohuritë mbi kursimin, planifikimin dhe investimet janë po aq të rëndësishme sa njohuritë mbi teknologjinë dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Këto njohuri do t’u shërbejnë si një filtër, duke i bërë më të kujdesshëm në vendimet e tyre financiare, të veprojnë me etikë, të shmangin mashtrimet dhe të reduktojnë rreziqet e pakthyeshme,” përfundon znj. Simo.
Një nga fenomenet që po vërehet gjithnjë e më shumë është “dismorfia e parasë”, ku individët ndihen financiarisht të pasigurt edhe kur janë realisht të qëndrueshëm. Kjo ndodh sepse krahasimi nuk bëhet më me mjedisin ekonomik ku jeton individi, por me standardet globale të luksit që qarkullojnë në rrjetet sociale. Si pasojë, krijohet një ndjenjë privimi relativ që nuk është produkt i realitetit, por i imazheve të kuruara që nxisin presionin për të konsumuar mbi mundësitë.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, shpjegon se rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më fort edhe në sjelljen financiare të familjeve. Shpenzimet impulsive, kreditë e marra për të mbuluar shpenzime joproduktive, apo investimet e nxituara në produkte të promovuara online, janë vetëm disa nga rreziqet që po shfaqen. Në një ekonomi të vogël si ajo shqiptare, kjo sjellje mund të krijojë tensione të panevojshme financiare dhe të deformojë prioritetet ekonomike.
“Nga këndvështrimi i politikave publike dhe edukimit financiar, sfida kryesore është ndërtimi i një kulture ekonomike ku individët të kuptojnë se pasuria nuk matet me imazh, por me stabilitet, kursim dhe investim afatgjatë. Është e rëndësishme që përdoruesit të kultivojnë një qasje kritike ndaj përmbajtjeve që konsumojnë dhe të ndërtojnë objektiva personale financiare të bazuara në realitetin e tyre, jo në modelet e krijuara në platforma digjitale,” thotë z. Xhepa.
Krahasimi
Në epokën e rrjeteve sociale, çdo përdorues ka mundësinë të krijojë dhe të shpërndajë përmbajtje, gjë që i bën krahasimet mes njerëzve më të shpeshta dhe më të pashmangshme. Platforma si Instagram, TikTok apo LinkedIn, shpesh paraqesin versionin më të mirë të vetes: foto të kuruara, pamje të bukura, trup ideal, luks dhe stil jete që shpesh nuk përputhen me realitetin e përditshëm. Ky prezantim i zgjedhur dhe i filtruar bën që përdoruesit të krahasohen më shpesh “për lart”, me njerëz që duken më të suksesshëm, më të bukur apo më të pasur.
Një formë gjithnjë e më e zakonshme e këtij fenomeni është shpërndarja e simboleve të pasurisë: vila, makina luksoze, pushime ekzotike, marka të shtrenjta. Kur dikush ekspozohet vazhdimisht ndaj këtyre imazheve, krijohet ndjesia se të tjerët janë më të pasur dhe më të privilegjuar. Ky lloj krahasimi shpesh çon në pakënaqësi, në ulje të vetëvlerësimit dhe në ndjesinë se jeta personale është më pak e vlefshme.
Ekspertja e marketingut digjital, Cansel Saygin, thekson se sot krahasimi nuk bëhet më me shokët e klasës apo kolegët e punës, por me njerëz nga çdo cep i botës. “Kur kjo ndodh çdo ditë, krijohet një perceptim i shtrembëruar, njerëzit fillojnë të mendojnë se janë financiarisht të dobët, edhe kur nuk janë. Ndiejnë nevojën të kenë gjëra materiale që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshme. Shpesh ndihen të pasigurt ekonomikisht, jo për shkak të realitetit të tyre, por për shkak të realitetit që shohin online. Me kohë, ajo që shfaqet në rrjetet sociale fillon të perceptohet si ‘standardi’ i jetesës, edhe pse është vetëm një version i filtruar i realitetit,” thotë znj. Saygin.
Ky proces mund të shkaktojë atë që quhet privim relativ, një ndjenjë padrejtësie dhe zhgënjimi që lind kur perceptojmë se të tjerët kanë më shumë sesa ne, edhe pse realisht nuk kemi humbur asgjë. Ndjenja e privimit relativ mund të rritet edhe më tepër kur personat me të cilët krahasohemi duken të ngjashëm me ne për nga mosha, stili i jetës ose interesat. Kjo e bën kontrastin ekonomik të duket edhe më i mprehtë.
Pasojat e këtij privimi nuk kufizohen vetëm te mirëqenia personale. Studimet tregojnë se njerëzit që ndihen të privuar bëhen më pak të kënaqur me jetën e tyre, më të stresuar dhe priren ndaj sjelljeve agresive. Një tjetër efekt i rëndësishëm është rritja e armiqësisë ndaj të pasurve. Kur dikush sheh vazhdimisht imazhe që i kujtojnë diferencat ekonomike, krijohet ideja se “të pasurit” janë shkaku i padrejtësisë së përjetuar. Kjo mund të çojë në qëndrime negative dhe stereotipa negative.
Iluzioni
Platformat e rrjeteve sociale mund të krijojnë krahasime financiare joreale, duke bërë që shumë të rinj të ndihen nën presion për të përputhur mënyrën e jetesës që shohin te të tjerët.
