Rritja e Pagave në Shqipëri: Gjysma me më pak se 54.3 mijë lekë neto

Gjysma e të punësuarve kishin pagë neto më pak se 54.3 mijë lekë në muaj në vitin 2025

Mungesa e fuqisë punëtore ka rritur presionet në tregun e punës, sidomos pas pandemisë, duke nxitur rritjen e pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Kjo rritje vlen edhe për pagën mediane, e cila arriti në 66,545 lekë bruto në muaj dhe 54,341 lekë neto. Kjo do të thotë se 50% e shqiptarëve të punësuar fitojnë më pak se kjo shumë, ndërsa 50% e tjerë fitojnë më shumë.

Paga mediane është treguesi më i saktë i të ardhurave të një qytetari të zakonshëm, ndryshe nga paga mesatare, e cila shpesh fryhet nga pagat shumë të larta të një pakice.

Ndërmjet viteve 2022 dhe 2025, paga mediane është rritur me rreth 48%, e nxitur kryesisht nga rritja e fortë e pagës minimale në këtë periudhë, e cila ka ndikuar në medianën e pagave të ulëta. Ecuria e pagave ka ndjekur një trajektore rritëse të vazhdueshme, por me ritme që u përshpejtuan ndjeshëm pas vitit 2023.

Gjatë vitit 2022, rritja e pagës mediane ishte më e moderuar, duke u mbyllur në nivelin e 48,940 lekëve. Megjithatë, viti 2023 shënoi një pikë kthese, ku për herë të parë mediana kaloi pragun psikologjik prej 50,000 lekësh, kryesisht për shkak të rritjes së pagës minimale zyrtare në 40,000 lekë. Ky trend ka vijuar edhe përgjatë vitit 2024, periudhë në të cilën pagat u stabilizuan mbi 58,000 lekë, për të kulmuar në vitin 2025 me kapërcimin e pragut prej 60,000 lekësh.

Vetëm gjatë vitit 2025, paga mediane u rrit me mbi 5,000 lekë, duke dëshmuar për një reagim të tregut ndaj mungesës së fuqisë punëtore.

Nëse për punonjësit ky është një lajm pozitiv, disa sektorë me vlerë të shtuar të ulët, si industria fason apo shërbimet bazë, po përballen me vështirësi për të ruajtur normat e fitimit përballë rritjes së kostove të punës. Këto kosto tani po diktohen nga tregu dhe jo vetëm nga vendimet administrative për pagën minimale.

Gjithsesi, Shqipëria ende karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti në deklarimin e pagave reale në sektorin privat. Për të shmangur detyrimet fiskale mbi pagën, ende në disa sektorë siç është ndërrimi, pagat reale konsiderohen me rrezik të lartë për deklarim. Edhe pse shpesh pagat janë më të larta se niveli minimal, sigurimet paguhen me nivelin minimal të miratuar nga qeveria.

Ekonomia shqiptare ende dominohet nga sektorë të bazuar në fuqinë punëtore, ndaj pagat po shihen si një mjet për ruajtjen e bazës së prodhimit apo shërbimeve. / Monitor

Scroll to Top