Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shpejt se në BE në korrik
Edhe pse rënia e fortë e euros gjatë verës pritej të ndihmonte në uljen e çmimeve të produkteve të importuara, të dhënat e Eurostat tregojnë një panoramë të ndryshme për Shqipërinë. Në korrik, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo rritje është pesë herë më e lartë se në Bashkimin Europian, ku shtrenjtimi ishte vetëm 0.6%.
Të dhënat e Eurostat-it evidentojnë dy drejtime të kundërta të presionit mbi çmimet e ushqimeve. Në Shqipëri, norma vjetore e inflacionit u përshpejtua nga 2.9% në qershor në 3.2% në korrik. Në të kundërt, në BE, inflacioni u ngadalësua nga 1% në qershor në 0.6% në korrik.
Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria ishte e pesta mes 36 vendeve europiane për nga norma më e lartë e inflacionit të ushqimeve. Normat më të larta u regjistruan në Turqi (37.6%), Rumani (4.6%), Qipro (4.5%) dhe Islandë (4.4%).
Ushqimet kontribuuan dukshëm në inflacionin e përgjithshëm
Inflacioni i përgjithshëm i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3.4% në korrik, duke u rritur nga 3.2% në qershor. Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh, me 1.09 pikë përqindje, që përbën gati një të tretën e rritjes së përgjithshme të çmimeve. Ky zhvillim lidhet me peshën e lartë që ushqimet zënë në shpenzimet e konsumatorëve shqiptarë. Sipas INSTAT, ato përbëjnë 34.46% të shportës së përdorur për llogaritjen e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumatorit.
Në Bashkimin Europian, inflacioni i përgjithshëm ishte 3% në korrik, vetëm 0.4 pikë përqindje më i ulët se në Shqipëri. Megjithatë, diferenca te çmimet e ushqimeve ishte shumë më e theksuar. Kjo tregon se presioni inflacionist në Shqipëri është më i përqendruar te produktet bazë të konsumit në krahasim me shumicën e vendeve të BE-së.
Rritja më e lartë në Ballkanin Perëndimor
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria regjistroi normën më të lartë të rritjes vjetore të çmimeve të ushqimeve në korrik 2026. Pas saj renditen Kosova (2.7%) dhe Mali i Zi (2.3%). Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, çmimet e ushqimeve ishin më të ulëta se një vit më parë. Në Serbi, çmimet në korrik 2026 ishin 5.6% më të ulëta se në korrik 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ishin 0.3% më të ulëta.
Gjatë gjithë vitit 2026, Shqipëria shënoi rritje të çmimeve të ushqimeve më të lartë se mesatarja e BE-së çdo muaj. Krahasuar me vendet fqinje anëtare të BE-së, rritja në Shqipëri ishte gjithashtu më e lartë. Në Bullgari, ushqimet u shtrenjtuan me 1.2%, ndërsa në Kroaci dhe Greqi çmimet ranë përkatësisht me 0.1% dhe 0.4%.
Shqipëria paguan çmime më të larta për ushqime se mesatarja e BE-së
Shqiptarët vazhdojnë të kenë të ardhura dhe fuqi blerëse ndër më të ulëtat në Europë, por kur bëhet fjalë për ushqimet, ata po paguajnë çmime më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë arritur në 102.9% të mesatares së BE-së në vitin 2025, nga 99.6% një vit më parë. Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që kushton 100 euro në BE, në Shqipëri kushton mesatarisht 103 euro, kur matet sipas fuqisë blerëse.
Ndërkohë, të ardhurat për frymë në Shqipëri mbeten vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48%. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për këta tregues, duke lënë pas vetëm pak vende të rajonit. Diferenca mes çmimeve dhe të ardhurave po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Megjithëse Shqipëria mbetet një nga vendet më bujqësore në Europë, konsumatorët përballen me kosto të larta për produktet ushqimore, duke bërë që një pjesë gjithnjë e më e madhe e buxhetit familjar të shkojë për nevojat bazë.
