Rivlerësimi i xhiros për vitin 2025 ka sjellë një rritje të ndjeshme të detyrimeve vendore për bizneset në Tiranë, duke shkaktuar deri në katërfishimin e shumave për disa prej tyre. Kjo rritje prek tarifën e pastrimit dhe taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Këto detyrime llogariten në bazë të kategorizimit sipas xhiros vjetore, e cila ndahet në katër fasha, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 158/2019. Vendimi, i cili rregullon sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës, përcakton katër grupe xhirore: nga 0 deri në 2 milionë lekë, nga 2 deri në 8 milionë lekë (për biznesin e vogël) dhe mbi 8 milionë lekë në vit (për bizneset e mesme).
Sipas njoftimeve “për vlerësim tatimor” të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore bizneseve, rivlerësimi i xhiros ka sjellë kalimin e disa subjekteve në një fashë më të lartë xhirore. Kjo ka rezultuar në një shtim automatik të detyrimeve për vitin 2025, si për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, ashtu edhe për tarifën e pastrimit.
Një rast konkret është ai i një biznesi me aktivitet “njësi shërbimi”. Për vitin 2024, ky biznes ishte klasifikuar në një kategori më të ulët xhiroje. Megjithatë, për vitin 2025, ai është zhvendosur në kategorinë e xhiros mbi 8 milionë lekë në vit. Ky ndryshim nga biznesi i vogël në atë të mesëm ka sjellë një rritje deri në 4 herë për tarifën e pastrimit dhe 3 herë për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore.
Specifikisht, për taksën e arsimit, detyrimi për këtë biznes u rrit nga 4,000 lekë në 17,000 lekë, pothuajse trefishoi. Ndërsa për tarifën e pastrimit, detyrimi u rrit nga 11,500 lekë në 57,500 lekë, duke u katërfishuar.
Informacioni mbi ndryshimin e xhiros për Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore vjen nga Drejtoria Rajonale Tatimore (DRT). Përveç rivlerësimit të detyrimeve, disa biznese janë përballur edhe me gjoba dhe kamatëvonesa për mosdeklarimin në kohë të ndryshimit të xhiros, gjë që sjell automatikisht ndryshimin e kategorisë përkatëse.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka sqaruar se çdo detyrim tatimor duhet të deklarohet nga subjektet brenda afateve të caktuara. Për të lehtësuar procesin, nga ky vit bizneset kanë mundësinë të vetëdeklarojnë ndryshimin e të dhënave të tyre, përfshirë xhiron, online, përmes plotësimit të formularit në e-Albania, me afat deri më 31 maj.
Më poshtë janë të detajuar vlerat e detyrimeve për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit, sipas kategorive të xhiros dhe llojit të aktivitetit:
- TETIM I PËRKOHSHËM PËR INFRASTRUKTURËN ARSIMORE
- Biznesi i vogël (0 – 2 mln lekë xhiro vjetore):
- 2,500 lekë/vit (për shitje me pakicë, njësi shërbimi, profesione të lira, transport)
- 8,000 lekë/vit (për shitje me shumicë, njësi prodhimi, subjekte ndërtimi)
- Biznese me xhiro nga 2 – 8 mln lekë vjetore:
- 4,000 lekë/vit (për shitje me pakicë, njësi shërbimi, profesione të lira, transport)
- 9,000 lekë/vit (për shitje me shumicë, njësi prodhimi, subjekte ndërtimi)
- Biznese me xhiro mbi 8 mln lekë vjetore:
- 11,000 – 27,000 lekë/vit (varësisht nga kategoria e aktivitetit)
- Biznese VIP (me xhiro të lartë):
- 18,000 – 37,000 lekë/vit (varësisht nga kategoria e aktivitetit)
- Biznesi i vogël (0 – 2 mln lekë xhiro vjetore):
- TARIFË PËR PASTRIMIN
- Biznesi me xhiro 0 – 2 mln lekë vjetore:
- 4,000 – 5,750 lekë/vit (varësisht nga kategoria e aktivitetit)
- Biznese me xhiro 2 – 8 mln lekë vjetore:
- 11,500 – 13,800 lekë/vit (për shitje me pakicë, bar-kafe, restorante, njësi tregtimi etj.)
- Biznese me xhiro mbi 8 mln lekë vjetore:
- 23,000 – 92,000 lekë/vit (për shitje me pakicë, bar-kafe, restorante, njësi tregtimi etj.)
- Biznesi me xhiro 0 – 2 mln lekë vjetore:
