“`html
SHBA sulmon Iranin, Teherani përgjigjet me breshëri raketash dhe dronësh mbi bazat amerikane
Situata në Lindjen e Mesme ka arritur një pikë kulmore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar përfundimin e një serie sulmesh masive ndaj objektivave iraniane në rajon.
Ndërkohë, reagimi i Teheranit ka qenë i menjëhershëm. Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar një valë dronësh dhe raketash në drejtim të bazave ushtarake amerikane, raporton media prestigjoze britanike, BBC.
Sipas njoftimit zyrtar të ushtrisë amerikane, operacioni i tyre shkatërroi me sukses disa sisteme të mbrojtjes ajrore, stacione të kontrollit tokësor dhe radarë iranianë. Ky sulm erdhi si një hakmarrje e drejtpërdrejtë pas rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache, ditën e hënë.
Nga ana tjetër, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë deklaruar me tone të forta se kanë ndërmarrë goditje të koordinuara ndaj të paktën 21 objektivave që lidhen me bazat ushtarake të SHBA-së në rajon. Në shënjestër kanë qenë edhe objekte në Bahrein dhe Jordani.
Alarmi ka përfshirë edhe shtetet fqinje, ku ushtria e Kuvajtit njoftoi zyrtarisht se i është dashur të ndërhyjë urgjentisht për të zmbrapsur një sulm të ngjashëm që po kërcënonte territorin e saj.
Uashingtoni zyrtar i ka cilësuar sulmet e tij si një “përgjigje proporcionale” ndaj rrëzimit të helikopterit, por ky version është hedhur poshtë fuqishëm nga Garda Revolucionare iraniane, e cila i quajti veprimet amerikane si “sulme të egra dhe të pajustifikuara”.
Prapaskena e këtij konflikti lidhet me ngjarjen e së hënës, ku dy anëtarë të ekuipazhit të helikopterit Apache të rrëzuar u shpëtuan përmes një operacioni nga një dron detar amerikan. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) konfirmoi se kjo shënon herën e parë në histori që një mjet i tillë i teknologjisë së lartë përdoret publikisht në një operacion shpëtimi.
Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se Apache u godit nga një dron iranian, por ende mbetet e paqartë nëse goditja ishte një provokim i qëllimshëm apo një gabim taktik. Një zyrtar i lartë amerikan, i cituar nga CBS News, bëri me dije se hetimet intensive po vijojnë.
Nga ana tjetër, agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, Mehr, raporton se Teherani zyrtar ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për rrëzimin e mjetit fluturues amerikan, duke e thelluar edhe më shumë misterin ndërsa situata në terren mbetet tejet e tensionuar.
“`
