Rritje Kredish Problematike në Shqipëri 2025

Kreditë me probleme të institucioneve financiare janë rritur në vitin 2025

Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jobanka ka shënuar rritje vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025, ky raport arriti në 14.2%, nga rreth 12% që ishte një vit më parë.

Raporti i kredive me probleme është pothuajse katër herë më i lartë në krahasim me nivelin mesatar të kredive me probleme në sektorin bankar, i cili në fund të vitit 2025 ishte 3.8%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i këtij treguesi është ndikuar njëkohësisht nga:

  • Reduktimi i portofolit të kredisë me 9.3%.
  • Rritja e vlerës së kredive me probleme me 7.4%.

Në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë bruto për institucionet financiare jobanka ra në 53.2 miliardë lekë, duke u ulur me 9% krahasuar me vitin paraardhës. Megjithatë, kjo rënie lidhet kryesisht me zhvillime strukturore brenda sektorit. Institucioni financiar NOA u bashkua me Bankën Amerikane të Investimeve, duke bërë që portofoli i kredisë së NOA të riklasifikohej si kredi që i përket sektorit bankar.

Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së institucioneve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë (73%). Më pas renditet portofoli i qirasë financiare (26%), ndërsa pesha e portofolit të faktoringut mbetet mjaft e ulët (1%).

Aktiviteti me rritjen më të lartë gjatë vitit 2025 ka qenë qiraja financiare, me 1.52 miliardë lekë. Efekti kryesor në rritjen e këtij portofoli është dhënë nga subjektet “Porsche Leasing” dhe “Raiffeisen Leasing”. Pas largimit të subjektit “NOA”, aktiviteti i kredidhënies dominohet nga “Fondi Besa”. Ndërkohë, sa i përket aktivitetit të mikrokredisë, subjekti “Iutecredit” vazhdon të shfaqë rritjen më të lartë të portofolit të mikrokredisë.

Gjatë vitit 2025, institucionet financiare që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit kanë gjeneruar një fitim neto prej 3.1 miliardë lekësh. Krahasuar me vitin paraardhës, vërehet një rënie e ndjeshme prej 2.41 miliardë lekësh, ose rreth 2.44%. Afërsisht gjysma e reduktimit të fitimit lidhet me sasinë e dividendit që merr subjekti “Tranzit” (aksionar i Bankës Amerikane të Investimeve), i cili këtë vit ka qenë më i ulët se vitet e kaluara. Largimi i subjektit “NOA” nga grupi i këtyre institucioneve ka sjellë gjithashtu një ndikim negativ, që llogaritet në rreth 20% të rënies së rezultatit neto. Në një masë më të vogël ka ndikuar edhe reduktimi i fitimeve të realizuara nga subjektet e mikrokredisë “ECFA” (Kredo Finance) dhe “IuteCredit”.

Kthimi mesatar nga aktivet për institucionet financiare që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit arriti në 4.7% (kundrejt 7.3% në vitin 2024), ndërsa kthimi mesatar nga kapitali zbriti në 21.4% (kundrejt 39% në vitin 2024).

Nga ana tjetër, rritja e stokut të kredive të këqija mund të jetë sinjal i rreziqeve në rritje për sektorin, në vijim të një cikli disavjeccar rritjeje të shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e mikrofinancës. Vitin e kaluar, hyri në fuqi paketa rregullatore e Bankës së Shqipërisë, e cila vendosi disa masa shtrënguese në praktikat e huadhënies së kredisë konsumatore për institucionet financiare jobanka. Këto masa synonin të mbronin huamarrësit nga mbingarkesa me borxh, por edhe të ulën rreziqet nga përkeqësimi i cilësisë së aktiveve për institucionet financiare.

Scroll to Top