Rritje rekord kredie në Shqipëri: Bizneset dhe individët nxiten

Kreditimi u rrit edhe në qershor, gjashtëmujorëshi u mbyll me nivelet më të larta historike

Kredia e re për ekonominë ka vijuar rritjen edhe gjatë muajit qershor, duke mbajtur shifrat e vitit 2026 në nivelet më të larta historike.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në qershor sektori bankar ka shpërndarë 45.3 miliardë lekë kredi të reja. Ky shifër paraqet një rritje prej 16.7% krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar.

Performanca pozitive e kredisë në qershor u shënua si në segmentin e bizneseve, të cilat vazhduan të kontribuonin kryesisht në rritje, ashtu edhe në segmentin e individëve.

Për gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, vlera e kredisë së re arriti në 223 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Analiza e të dhënave për këtë vit tregon se rritja e kredisë është mbështetur kryesisht nga segmenti i bizneseve.

Gjatë gjashtë muajve, kredia e re për bizneset arriti në 148.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.5% krahasuar me një vit më parë. Rritja e kredisë për bizneset ka qenë e ngjashme si në monedhën vendase, ashtu edhe në Euro. Për sa i përket qëllimit të përdorimit, rritja më e ndjeshme ka ardhur nga kreditë për investime.

Edhe kredia për individët është në rritje pozitive për gjashtëmujorin, megjithëse me ritme pak më të ulëta se sa kredia për bizneset. Gjatë kësaj periudhe, sektori ka dhënë 73.4 miliardë lekë kredi të reja për individët, me një rritje vjetore prej 9.2%.

Ngadalësimi i rritjes së kredisë për individët lidhet kryesisht me produktet e kredisë për shtëpi. Gjatë gjashtëmujorit, kredia e re për shtëpi ka shënuar një rënie prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kujtojmë se në korrikun e vitit të kaluar nisi zbatimi i masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë për kreditë e blerjes së banesave nga individët. Këto masa parashikojnë nivele maksimale financimi me kredi për pronat dhe raportin mes kësteve të kredisë dhe të ardhurave.

Ndërsa këto masa patën një ndikim modest gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, duket se ndikimi po bëhet më i prekshëm gjatë këtij viti. Si pasojë, rritja e kredisë për individë në gjysmën e parë të këtij viti është mbështetur tërësisht nga produktet e kredisë konsumatore.

Në fund të muajit qershor, portofoli ose teprica e kredisë për ekonominë arriti vlerën e 992.8 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej rreth 15 miliardë lekësh krahasuar me muajin maj. Në krahasim vjetor, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11.2%.

Me luhatje të vogla mujore, rritja vjetore e kredisë mbetet pranë niveleve më të larta të 18 viteve të fundit.

Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 16.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja mbetet në nivele pak më të ulëta, me 9.4% në bazë vjetore.

Scroll to Top