Rritje turizmi në maj: 1.14M vizitorë të huaj, +16%

Hyrjet e të huajve në maj rriten me 16%, sipas të dhënave paraprake

Në muajin maj 2026, vendi ynë mirëpriti 1,143,595 vizitorë të huaj, një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Agjencia për Media dhe Informim, dhe publikohen zyrtarisht më pas nga INSTAT.

Sipas të dhënave të INSTAT, pas një fillimi të vakët të vitit për shkak të motit të paqëndrueshëm, turizmi ka shënuar rigjallërim. Pas rritjes me 11% të të huajve në mars, prilli rezultoi me 8.8% më shumë vizitorë të huaj sesa prilli i vitit të shkuar. Muajt janar dhe shkurt nisën dobët, me një rënie të lehtë ose rritje gati zero.

Ndikim pozitiv në turizëm vlerësohet të ketë pasur edhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Këto konflikte kanë ndryshuar axhendën e shumë pushuesve, duke i drejtuar ata drejt vendeve më të sigurta dhe më afër, sidomos atyre nga Europa. Këtë tendencë e ka theksuar edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e saj të fundit rajonal për perspektivën ekonomike.

Sipas BERZH, megjithëse presionet mbi konkurrueshmërinë e jashtme, rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, përbëjnë rreziqe negative, këto efekte mund të zbuten pjesërisht nga zhvendosja e flukseve turistike nga vendet më pranë konfliktit.

Bazuar në të dhënat e INSTAT, Kosova vijon të dominojë, duke kontribuar me 30% të hyrjeve të vizitorëve të huaj. Pas saj vijnë Italia me rreth 13%, Greqia me 8.6%, Maqedonia e Veriut me 8.1% dhe Mali i Zi me 6.6%.

Në muajin prill, një tendencë e dukshme ishte rritja e numrit të turistëve nga Franca, me 23%, dhe nga Polonia, ku numri i tyre pothuajse u dyfishua, duke u rritur me 81%.

Scroll to Top