Rruga Qukës-Qafë Plloçë pëson sërish dëmtime në lotin e dytë, aksi shembet
Aksi i dëmtuar në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, i cili ndodhet në lotin e dytë, pranë Kthesës së Trebinjës, ka pësuar shembje. Janë evidentuar ulje të niveleve në shtratin e rrugës.
Vetëm 500 metra larg këtij dëmtimi, një tjetër segment i rrugës, i dëmtuar që prej muajit janar, ende nuk është riparuar. Në janar, një pjesë e shtratit të rrugës pësoi zhytje për shkak të rrëshqitjes së strukturës. Megjithatë, ky segment nuk është kthyer ende në normalitet, dhe duket se situata është përkeqësuar.
Qarkullimi për mjetet aktualisht është i orientuar vetëm në njërën korsi. Problematikat në rrugën Qukës-Qafë Plloçë kanë nisur që prej inaugurimit të saj.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, me një kosto prej 260 milionë eurosh, u hap për qarkullimin e mjeteve në shtatorin e vitit të kaluar. Kjo ndodh pas problematikave të mëparshme në lotin e tretë, ku së fundmi situata serioze është evidentuar edhe në lotin e dytë.
