Ambasada Amerikane ndan mesazhin e Rubios: Një vend që nuk prodhon ilaçe dhe nuk ndërton anije, nuk mund të mbrojë popullin…
Publikuar më 10.08.2026 nga shekulli_admin
TIRANË – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë një mesazh të fortë mbi mënyrën se si duhet të ndërtohet fuqia dhe siguria e një shteti. Ai theksoi se politika e jashtme nuk mund të shkëputet nga ekonomia, prodhimi vendas dhe kontrolli i kufijve.
Mesazhi i Rubios është shpërndarë edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ndërsa fjalimi i tij është mbajtur para Komisionit të Jashtëm të Kongresit amerikan.
Rubio deklaroi se administrata e SHBA-së nuk e konsideron ndihmën e huaj si një formë bamirësie, por kërkon rezultate konkrete dhe që çdo fond i dhënë të lidhet me interesin kombëtar amerikan.
“Ne nuk po japim thjesht para; ne po kërkojmë gjithashtu rezultate konkrete,” u shpreh Rubio, duke argumentuar se nuk ka rëndësi vetëm sa para shpenzohen për një program, por nëse ai program prodhon rezultatet e pritshme.
Rubio e lidhi drejtpërdrejt sigurinë kombëtare me kapacitetet prodhuese të një vendi.
“Një vend që nuk mund të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin ose të sigurojë qasje në burime jetike, nuk mund të mbrojë popullin e tij, nuk mund të mbrojë interesat e tij dhe nuk mund të mbrojë mënyrën e tij të jetesës,” deklaroi ai.
Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, politika e jashtme duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë që përfshin sigurinë ekonomike, energjinë, kufijtë dhe aftësinë për të garantuar furnizimet strategjike.
Rubio theksoi gjithashtu se qëllimi kryesor i politikës së jashtme amerikane është mbrojtja e interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, si në aspektin ushtarak dhe të sigurisë, ashtu edhe në atë ekonomik.
Mesazhi i tij vjen në një kohë kur administrata amerikane po riorienton politikat e ndihmës së huaj dhe po kërkon që ato të jenë më të lidhura me objektiva strategjike dhe rezultate të matshme.
Rubio e përmbylli këtë qasje duke argumentuar se politika e jashtme amerikane duhet të fokusohet gjithnjë e më shumë te “themelet reale të fuqisë kombëtare”.
