Zyrtarët: Serbia në gjendje të pashpresë pas vendimit të BE-së për gazin rus
Serbia gjendet në një situare tepër të vështirë dhe pothuajse të pashpresë, pas vendimit të Këshillit të BE-së për të ndaluar transitin e gazit natyror nga Rusia përmes bllokut evropian drejt vendeve të treta. Ky vendim, sipas ministres së Minierave dhe Energjisë të Serbisë, Dubravka Gjedoviq-Handanoviq, do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.
“Në fund të fundit, Bullgaria nuk do ta lejojë rrjedhën e gazit rus përmes Rrjedhës Ballkanike, gjë që do ta dëmtojë edhe Serbinë në të ardhmen”, deklaroi Gjedoviq-Handanoviq, raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).
Sipas projekt-rregullores së Këshillit të Bashkimit Evropian, vendimi për të ndaluar transitin e gazit rus drejt vendeve të treta nga janari 2026 do të konfirmohet pasi Parlamenti Evropian të marrë qëndrimin e tij. Teksti përfundimtar do të bëhet i ditur pas bisedimeve mes Presidencës së Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.
Këshilli i BE-së ka theksuar se parashikohet një periudhë kalimtare për kontratat ekzistuese me palën ruse. Sipas rregullave, blerësit e BE-së nuk do të mund të nënshkruajnë kontrata të reja për importin e gazit rus pas 1 janarit 2026, ndërsa kontratat ekzistuese duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i vitit 2027. Kontratat afatshkurtra, të lidhura para 17 qershorit 2025, mund të vazhdojnë deri në atë datë vitin e ardhshëm, ndërsa kontratat afatgjata mund të zgjasin deri më 1 janar 2028.
Brukseli sqaroi se ndryshimet në kontratat ekzistuese do të lejohen vetëm për qëllime operacionale të përcaktuara ngushtë dhe nuk do të çojnë në rritje të vëllimit të dërgesave, përveç rasteve kur përfshijnë fleksibilitete specifike për shtetet anëtare të BE-së pa dalje në det, të prekura nga ndryshimet në rrugët e furnizimit.
Në këtë kontekst, Gjedoviq-Handanoviq kujtoi se Industria e Naftës e Serbisë (NIS), e cila është në pronësi ruse dhe furnizuesi kryesor i karburantit në tregun vendas, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vendi ynë, i cili nuk është pjesëmarrës në asnjë konflikt, nuk u prek as për faj dhe as për detyrim. Pavarësisht të gjithave, ne do të bëjmë çmos që qytetarët të mos i ndiejnë problemet me të cilat po përballemi”, u shpreh Gjedoviq-Handanoviq. Sanksionet e SHBA-së ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor.
Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke komentuar propozimin e ministrave të BE-së për eliminimin gradual të importeve të naftës dhe gazit rus, tha se nuk sheh rrugëdalje nga situata dhe shprehu shpresën se presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, ka një zgjidhje. “Ky është lajm katastrofik për ne”, u citua Bërnabiq nga RTS.
Serbia prej dekadash është e varur nga importet e gazit nga Rusia, duke plotësuar mbi 80 për qind të nevojave të saj për energji. Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave të Republikës, kjo përqindje është 13 për qind më pak se në vitin 2024.
Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia është përpjekur të krijojë rrugë të reja furnizimi. Në vitin 2024, Serbia filloi të importojë gaz nga Azerbajxhani, me të cilin arriti marrëveshje për furnizim vjetor deri në 400 milionë metra kub deri në vitin 2026. Nevojat vjetore të Serbisë janë tre miliardë metra kub gaz natyror.
Kontrata dhjetëvjeçare e furnizimit me gaz të Serbisë me Rusinë skadoi në maj, dhe dy vendet nuk kanë nënshkruar ende një kontratë të re.
Ministrat e energjisë të Bashkimit Evropian miratuan një vendim për të ndaluar importet e gazit rus pas vitit 2027 në një takim në Luksemburg. Propozimi i paraqitur nga Komisioni Evropian mori shumicën e nevojshme në Këshill. Hungaria dhe Sllovakia, dy vende të BE-së pa dalje në det, ishin kundër.
