SHBA dhe Irani pranë marrëveshjes kornizë për t’i dhënë fund luftës, sipas mediave
Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë bërë përparim të dukshëm në bisedimet e tyre, duke u afruar me një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund konfliktit. Kështu raportojnë burime amerikane të cituara nga Axios.
Ndërkohë, SkyNews njofton se delegacionet e të dy vendeve pritet të takohen sërish javën e ardhshme në Islamabad. Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara dhe Irani, me ndërmjetësimin e Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë, po përpiqen të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura para afatit të armëpushimit që skadon më 21 prill.
Në këtë kuadër, një delegacion pakistanez i drejtuar nga Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Asim Munir, ka mbërritur në Teheran për bisedime me zyrtarët iranianë, duke shtuar përpjekjet diplomatike për arritjen e një kompromisi.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se marrëveshja nuk është ende e garantuar, për shkak të dallimeve të rëndësishme mes palëve. Sipas tyre, ekipi negociator i Presidentit Donald Trump, i përbërë nga Zëvendëspresidenti Vance, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Whittock dhe këshilltari i lartë Jared Kushner, ka vijuar kontaktet intensive me iranianët dhe ndërmjetësit përmes telefonatave dhe shkëmbimit të propozimeve.
