SHBA kritikon politikat e emigracionit të Europës: “Një pushtim”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes kritikon politikat europiane për emigracionin: Brigjet e Europës po përballen me një “pushtim”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si vendet europiane po menaxhojnë flukset migratore, duke paralajmëruar se disa shtete po përballen me një situatë që ai e cilësoi si “pushtim”.

Deklaratat u bënë gjatë ceremonive përkujtimore në Normandi, me rastin e 82-vjetorit të Ditës D, operacionit ushtarak të vitit 1944 që hapi rrugën për çlirimin e Europës Perëndimore nga pushtimi nazist.

Në fjalën e tij, Hegseth bëri një krahasim mes sfidave historike të Europës dhe situatës aktuale të migracionit, duke argumentuar se brigjet e disa vendeve europiane po përballen me presion të vazhdueshëm nga mbërritjet e emigrantëve.

“Fatkeqësisht, sot brigje të tjera europiane po përballen me kërcënime të ndryshme. Brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Varka me emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë. Pyetja është: kur do të reagojnë kryeqytetet europiane?”, u shpreh ai.

Këto komente janë pjesë e një serie qëndrimesh kritike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave të emigracionit në Europë. Vetëm një ditë më parë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance lidhi vrasjen e 18-vjeçarit britanik Henry Nowak me atë që ai e quajti “emigracion masiv”, duke kërkuar reagim më të ashpër ndaj fenomenit.

Deklaratat e dy zyrtarëve të lartë amerikanë pritet të nxisin reagime në kryeqytetet europiane, në një kohë kur çështja e migracionit mbetet një nga temat më të debatueshme në Bashkimin Europian.

Scroll to Top